BotaLajme

Inflacioni në Eurozonë shënon rekord të ri

Inflacioni në Eurozonë u rrit në një tjetër nivel rekord, duke sfiduar pikëpamjen e Bankës Qendrore Evropiane se rritja graduale e normave të interesit nga korriku do të jetë e mjaftueshme për të zbutur rritjen e lartë të çmimeve. Inflacioni u përshpejtua në 8.1 për qind në maj nga 7.4 për qind në prill, duke mposhtur pritshmëritë për 7.7 për qind, ndërsa rritja e çmimeve vazhdoi të zgjerohej, duke treguar se nuk është më vetëm energjia që tërheq shifrën kryesore.

Çmimet janë rritur ndjeshëm në të gjithë Evropën gjatë vitit të kaluar, fillimisht për problemet e zinxhirit të furnizimit pas pandemisë COVID-19, më pas për luftën e Rusisë në Ukrainë, duke sugjeruar që një epokë e re e rritjes së shpejtë të çmimeve tani po fshin një dekadë inflacioni ultra të ulët.

Ndonëse inflacioni total tani është katër herë më i lartë se objektivi i BQE-së prej 2 për qind, politikëbërësit evropian mund të jenë më të shqetësuar nga rritja e shpejtë e çmimeve bazë, të cilat tregojnë se ajo që dikur shihej një rritje kalimtare e çmimeve, tani është duke u ngulitur.

Inflacioni pa përfshirë çmimet e ushqimeve dhe energjisë, u përshpejtua në 4.4 për qind nga 3.9 për qind në krahasim me një vit më parë, ndërsa një masë edhe më e ngushtë, që përjashton gjithashtu alkoolin dhe duhanin, u përshpejtua në 3.8 për qind nga viti në vit nga 3.5 për qind në prill.

BQE-ja do të mblidhet më 9 qershor, ku do të përfundojë zyrtarisht një skemë të blerjes së obligacioneve në fund të qershorit dhe do të vazhdojë të sinjalizojë rritjen e normës.

Show More

Related Articles

Back to top button