Branislav Krstic, gazetar dhe analist serb, që jeton e vepron në veri të Mitrovicës, flet në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com, lidhur me zhvillimet e fundit në këtë pjesë pas dorëheqjeve të përfaqësuesve serbë nga disa institucione të Kosovës.
Krstiq thotë se fajtor për këtë situatë të tensionuar në veri nuk janë vetëm kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai dyshon që grupe dhe forca euroatlantike janë duke menaxhuar një konflikt në Kosovë.
“E kam një ndjenjë që nuk janë fajtorë as z Kurti as z Vuçiq për situatën që kemi se ekziston edhe mundësia që disa grupe dhe forca euroatlantike janë duke menaxhuar një konflikt në Kosovë. Është hipotetike”, deklaron Krstiq.
Ajo që po ndodh në veri pas dorëheqjeve Krstiq thotë se është vakum institucional, ndërsa shton se banorët e komunitetit serb në atë pjesë janë pa mbështetje institucionale dhe se shumica prej tyre udhëhiqen nga presidenti serb Vuçiq.
“Nuk mund të shohim se cilat janë pasojat dhe në cilin drejtim shkon braktisja e institucioneve në bazë etnike. Ajo që po ndodh në veri është vakum. Serbët janë pa mbështetje institucionale dhe tash shumica e banorëve në veri janë të udhëhequr nga kabineti i kryetarit të shtetit të Serbisë. Kjo do të thotë që tash siguria por edhe në rajon është përgjegjësi e Beogradit”.
Analisti dhe gazetari serb ndër të tjera thotë se insistimi i Qeverisë së Kosovës në reciprocitetin për targa – pa i dëgjuar aleatët ndërkombëtarë – është shkaktar i kësaj situate.
“Pse kemi ardhur deri në këtë pikë? Pse Serbia e ka marrë këtë vendim të njëanshëm? Ekziston një përgjigje, pra vendimi i Qeverisë në Prishtinë për çështjen e targave. Jemi në një pozitë kur kemi forcat policore të Kosovës që janë në stacionet policore, nuk janë duke vepruar në terren. Kemi pjesëtarët e EULEX-it, një njësi e vogël, më duket se jemi duke folur për njësi, që nuk janë të përgatitur për këtë situatën që kemi në veri dhe kemi disa pjesëtarë të KFOR-it që jam i sigurt se nuk janë të trajtuar për këtë ambient. Shumë mirë është që jemi në fund të javës dhe na pret takimi i paralajmëruar i kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq”, deklaron ai.
“Faktet tregojnë se shteti i Kosovës ishte në një proces të implementimit të serbëve në institucionet e Kosovës. Kemi marrëveshje për çështjet elektroenergjetike dhe kemi marrëveshjen e para disa ditëve për lëvizjen e qytetarëve. Kjo do të thotë se Qeveria e Prishtinës ka pasur shumë sukses në negociatat me Beogradin zyrtar. Me vendimin e fundit, pas paralajmërimit nga aleatët e shtetit të Kosovës, që nuk është koha për të insistuar, dikush në Qeverinë e shtetit të Kosovës ka vendosur që të mos e pranojë atë këshillë dhe s’e ka dëgjuar mendimin e qytetarëve të veriut. Ne si gazetarë e analistë e kemi provuar që ta paralajmërojmë kabinetin e z.Kurti që gjërat nuk shkojnë në atë drejtim. Kemi pasur shembull kur është djegur vetura e pjesëtarit të policisë të shtetit të Kosovës. Askush nuk është arrestuar dhe kemi pasur një ambient kur shteti i Kosovës nuk kontrollon gjërat ashtu siç është e nevojshme për të implementuar vendimin që kanë marrë”.
I pyetur se si kanë ndikuar këto zhvillime në jetën e tij dhe të qytetarëve tjerë serbë që jetojnë në veri, Krstiq thotë se nuk është e lehtë të pranosh ide nacionale e etnike nga Beogradi.
“Nuk është lehtë, sepse nëse je duke punuar në 10 ose 15 vitet e fundit dhe vjen një ide nga Beogradi, një ide nacionale etnike, kur duhet me pranua atë vendimin e njëanshëm nga ana e Beogradit. A është ajo veç një vendim i njëanshëm apo si rezultat i politikës së reciprocitetit”.
Ai tutje e quan të gabuar insistimin e kryeministrit Kurti për reciprocitet me Serbinë, sidomos në rastin e fundit me targat, pasi siç thotë, i ka mobilizuar edhe serbët të cilët e kanë pranuar realitetin e shtetit të Kosovës.
“Reciprocitet është kur unë të sulmoj ty edhe ti ma kthen mua. E kjo shkon në drejtim shumë të keq ku janë qytetarët e shtetit të Kosovës. Në veri kemi një situatë ku qytetarët serbë, që janë duke u pajtuar me kryeministrin Kurti, se Lista Serbe nuk përfaqëson interesat e qytetarëve serbë në Kosovë. Por, me këtë vendim që ka bërë z Kurti i ka mobilizuar edhe ata që kanë qenë kundër Listës Serbe dhe politikës së Vuçiqit dhe që janë duke pranuar realitetin e shtetit të Kosovës”.
Në këtë intervistë, Krstiq flet edhe për për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi dhe takimin e ardhshëm Kurti-Vuçiq.