LajmeRajon

LAJMI I FUNDIT: S’ka konsensus për vizat në Bruksel

As pas mbledhjes së dytë të Grupit Punues për Vizat, nuk ka pasur ndonjë konsensus për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Grupi Punues për Vizat në Këshillin e Bashkimit Evropian ka diskutuar sot për heqjen e vizave për Kosovën, por nuk ka arritur asnjë rezultat.

Presidenca çeke, që drejton aktualisht Këshillin e BE-së, njofton se është diskutuar propozimi për ta lidhur liberalizimin e vizave me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS, që ndodh në nëntor të 2023-s, por nuk ka pasur konsensus.

“Më 10 nëntor, Grupi Punues për Vizat i Këshillit të Bashkimit Evropian e ka mbajtur diskutimin e dytë për liberalizimin e vizave për Kosovës nën Presidencën Çeke. Shtetet anëtare diskutuan propozimin e Presidencës rreth kërkesës për ta lidhur liberalizimin e vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit ETIAS. Përgjatë një diskutimi të gjatë, nuk është arritur konsensusi. Shtetet anëtare, sidoqoftë, kanë bërë progres të dukshëm në negociatat. Presidenca do t’u kthehet diskutimeve dypalëshe dhe do të provojë që sa më shpejt ta përfundojë punën në këtë çështje të rëndësishme”, thuhet në një deklaratë të Presidencës ceke.

Vendet anëtare të BE-së në takimin e grupit punues për vizat kanë përafruar qëndrimet rreth një kompromisi, sipas të cilit do të miratohej vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, që do të hynte në fuqi më 1 nëntor 2023, kur do të nisë zbatimi edhe i sistemit Evropian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS).

Siç raporton Radio Evropa e Lirë referuar burimeve diplomatike ky ka qenë kompromisi mes kërkesës së Francës për kushtëzimin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me nisjen e zbatimit të ETIAS-it, dhe kundërshtimit të shumë vendeve tjera që kjo të mos lidhet. Në fund është përmendur edhe ETIAS-i, por edhe data.

Grupi punues për vizat në Këshillin e Bashkimit Evropian ka diskutuar sot, për herë të dytë, për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Diskutimi i parë është zhvilluar më 13 tetor, kur shumica e vendeve anëtare të BE-së e kanë mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.

Franca, megjithatë, ka kërkuar që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të lidhet me funksionalizimin e sistemit të udhëtimit ETIAS.

Ky sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen. Ai është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023.

Show More

Related Articles

Back to top button