Sot në Bruksel fillon skriningu bilateral për kapitullin 5, “Prokurimet publike”, ndërsa ekipin negociator të Maqedonisë së Veriut do ta udhëheq zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje evropiane dhe kryenegociatori me Bashkimin Evropian, Bojan Mariçiq. Anëtarët e Grupit Punues për Kapitullin 5, në takimin e skrining bilateral, do t’ua prezantojnë ekspertëve të Komisionit Evropian kornizën legjislative të Maqedonisë dhe nivelin e harmonizimit me legjislacionin e BE-së në këtë kapitull të procesit negociator, transmetoPortalb.mk .
Temat dhe fushat e trajtuara në këtë kapitull kanë të bëjnë me parimet e përgjithshme të prokurimit publik, rregullimin e prokurimit publik në sektorin e përgjithshëm, në fushat e politikës sociale, mjedisit, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, inovacionit, mbrojtjes, koncesioneve, prokurimit të ilaçeve, prokurimet publike elektronike, si dhe aspektet ndërkombëtare në këtë fushë.
Institucion kompetent për këtë kapitull është Ministria e Financave, përkatësisht Byroja për furnizime publike, ndërsa grupin punues e udhëheq këshilltari shtetëror në Byronë për furnizime publike, Aleksandar Argirovski.
Takimi për skriningun shpjegues për kapitullin 5 të Klasterit 1, “Vlerat Themelore” u mbajtë më 15 shtator, i cili në fakt nisi procesin e skriningut. Në atë takim, delegacioni i Komisionit Evropian prezantoi legjislacionin ligjor të BE-së në fushën e prokurimit publik, gjegjësisht u shpjeguan risitë në rregulloren evropiane nga viti 2018/2019 e deri më sot.
Një nga objektivat kryesore të skriningut është përcaktimi i dallimit që ekziston në secilin nga kapitujt e negociatave, ndërmjet legjislacionit të vendit kandidat dhe atij të BE-së. Pas analizës, shteti kandidat pritet të tregojë nëse do të mund të pranojë legjislacionin e BE-së në një kapitull të caktuar dhe të harmonizojë dallimet e vërejtura në legjislacion apo synon të kërkojë periudha të caktuara kalimtare për harmonizimin dhe zbatimin e plotë të legjislacionit.
Edhe pse Maqedonia e Veriut filloi negociatat me Bashkimin Evropian së bashku me Shqipërinë dhe së bashku ndjekin takimet e skriningut shpjegues, ato ndahen për skriningun bilateral dhe secili vend vazhdon të udhëheqë veçmas këtë fazë të skriningut.
Sipas kalendarit të Komisionit Evropian, procesi i skriningut për Republikën e Maqedonisë së Veriut është planifikuar të zgjasë deri në fund të nëntorit 2023.
Përndryshe, fillimi i procesit të skriningut si fazë e parë nga bisedimet për anëtarësim në BE dhe mbështetja e sanksioneve kundër Rusisë në lidhje me invazionin ushtarak ndaj Ukrainës i sollën Maqedonisë së Veriut vlerësim pozitiv nga BE-ja. Por, në raportin evropian për progresin e vendit, Komisioni Evropian sërish ka gjetur vërejtje për zbatimin e ligjeve, punën e Kuvendit, por edhe nevojën për më shumë transparencë gjatë miratimit të vendimeve shtetërore. Në raport, thuhet se Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur për thuajse të gjitha kriteret.
Prej sot -11 nëntor, e deri më 9 dhjetor të këtij viti, do vazhdojë faza e dytë e skriningut, gjegjësisht atij bilateral. Në këtë proces Maqedonia e Veriut do të paraqesë shkallën e përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, strukturën institucionale të zbatimit të ligjit. Në atë periudhë, ekipi i RMV-së do t’i prezantojë para përfaqësuesve të KE-së planet për harmonizim të mëtejmë dhe për ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe administrative, si dhe resurset e nevojshme njerëzore, financiare dhe IT për zbatimin e standardeve evropiane.
Pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.
Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.
Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.
Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria. Sofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.