Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se zhvillimet e fundit që lidhen me dorëheqjet e serbëve nga institucionet e Kosovës vijnë si pasojë e përpjekjeve të Serbisë që kanë qëllim destabilizimin e Kosovës. Ai ka thënë se Kosova nuk e pranon gjuhën e shantazhit, bllokadës dhe dhunës duke shtuar se çdo gjë që është ilegale në Kosovë do të ndalohet dhe do të ndodh sundimi i ligjit.
Kreu i Kuvendit ka thënë se qëllimi i Serbisë është që në tavolinën e bisedimeve të imponojë kushte më të mira për të.
Konjufca: Çdo gjë që është ilegale në Kosovë do të ndalohet dhe do të ndodh sundimi i ligjit
“Ne e dimë që të gjitha këto vijnë nga Beogradi dhe Vuçiqi. Mendoj që qeveria dhe Republika e Kosovës do të sillen në atë mënyrë që të mos pranojnë kushtëzime përmes shantazhit, përmes bllokadave dhe përmes përdorimit të forcës nga ana e Serbisë…E gjithë kjo është përpjekje e Serbisë për me destabilizu Kosovën dhe që në tavolinën e negociatave me imponu kushte më të mira për Serbinë, ne nuk e pranojmë këtë gjuhë si Republikë e Kosovës, kjo është gjuhë e shantazhit, e bllokadave dhe dhunës, ne mendojmë që Kosova është në të drejtën e saj, nuk mund të lëshojmë pe përtej Kushtetutës tonë, nuk mund të lëshojmë pe përtej ligjeve. Gjithçka që është ilegale në Kosovë do të ndalohet dhe sundimi i ligjit do të ndodh”, ka thënë Konjufca.
Kryetari i Kuvendit nuk beson se do të ketë eskalim të situatës nga 21 nëntori, kur fillon shqiptimi i gjobave për votuesit e veturave me targa legale.
Konjufca: Nuk biem në provokime të Serbisë
“Nuk besoj që do të ketë eskalim të situatës. Situata është nën kontroll dhe institucionet e Kosovës janë në nivelin më të lartë të përgjegjësisë, institucionet e sigurisë që i kemi ndërtuar me shumë mund dhe ato nuk e kanë qëllim me provoku askënd…Ne kemi provokime por nuk biem në provokime si Kosovë”, ka shtuar ai.
Këto deklarata Konjufca i ka bërë pas ceremonisë së betimit të 311 rekrutëve në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Për FSK-në, ai ka thënë se ka të drejtë të veprojë në tërë territorin e Kosovës.