Nuk i vazhdohet kontrata, demolon me çekan dhe më pas i vë zjarrin zyrës së drejtorit të shtëpisë së studentëve “Pellagonija” në Kisella Vodë. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:30, ku sipas burimeve, një ish i punësuar fillimisht ka pasur një zënkë verbale me drejtorin ndërsa më pas ka demoluar zyrën dhe i ka vënë flakën. Nga shtëpia e studentëve thonë se zjarri është vënë menjëherë nën kontroll, nuk ka asnjë të lënduar dhe konvikti vazhdon të funksionojë pa pengesa. Nga policia thonë se bëhet fjalë për një person me iniciale N.J i cili së bashku me një person tjetër i kanë vënë flakën zyrës.
“Në SPB Shkup personi me iniciale A.F (36) i punësuar si drejtor në shtëpinë studentore në Kisella Vodë, Shkup, denoncoi se në vendin e punës pas një zënke verbale N.J ish i punësuar, së bashku me një person tjetër, kanë hedhur lëng të djegshëm, pas çka ka ndodhur zjarri. Nuk ka persona të lënduar, ndërsa zjarri është shuar nga njësia e zjarrfikësve Shkup. Policët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po merren masat për zbardhjen e rastit”, njoftojnë nga MPB.
Studentët thonë se incidentet e tilla shkaktojnë pasiguri.
“Isha duke ardhur nga shkolla dhe pash se kishte filluar një zjarr, ishte mbledhur këtu policia dhe të gjithë dhe pash që karriget po i sistemonin jashtë pasi nuk ndjeheshin të sigurt edhe studentët. Pastaj na ndaluan tek dera dhe nuk na lejonin të dilnim jashtë…00:38 Për siguri nuk mund të them se ndihemi aq të sigurt, nuk është faji as te drejtoria as tek stafi, këtu është faji shtetit sepse nuk I sistemojnë studentët ashtu si duhet”, deklaroi një student.
Në këtë konvikt banojnë rreth 1000 studentë nga të gjitha qytetet e shtetit dhe sipas burimeve brenda, pas shumë kohësh për herë të parë janë të mbushura pothuajse të gjitha kapacitetet, ku nga gjithsej 999 shtretër 997 janë të mbushur./Alsat.mk