Kremlini ka bërë të ditur se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk do të marrë pjesë as personalisht, as nëpërmjet video-konferencës në samitin G20, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një konferencë për media njoftoi se Putin gjithashtu nuk planifikon të mbajë video-fjalim për pjesëmarrësit e një takimi tjetër, samiti i vitit 2022 i forumit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor.
“Ky vendim i kreut të shtetit lidhet me orarin e tij, nevojën e qëndrimit të tij në Rusi”, tha Peskov.
Ai refuzoi të komentojë tërheqjen e ushtrisë ruse nga qyteti ukrainas Kherson, duke theksuar se ka shumë ekspertë me mendime të ndryshme.
Peskov po ashtu tha se qëllimet e “operacionit special ushtarak” rus mund të arrihen përmes bisedimeve të paqes, por theksoi se Ukraina refuzon t’i mbajë ato.
I pyetur për shkëmbimin e të burgosurve me SHBA-në, Peskov tha se Washington-i është në dijeni të “propozimeve serioze” të Moskës. Ai shtoi se çështje të tilla të ndjeshme kanë nevojë për heshtje.
Sipas zëdhënësit të Kremlinit, negociatat për zgjatjen e marrëveshjes së drithërave të Detit të Zi po vazhdojnë, por akoma pa marrë një vendim përfundimtar.
Për vendimin e SHBA-së për të mos e konsideruar Rusinë si një ekonomi tregu në procedurat e saj ‘anti-dumping’, Peskov tha se “Kjo është një vazhdimësi e presionit ndaj Moskës”.
Ai gjithashtu njoftoi “kontakte” midis liderëve rus dhe kuban në muajin nëntor që mund të ndodhë në përurimin e një memoriali të ish-liderit kuban, Fidel Castro.