Në një sulm të hapur ndaj politikave franceze të emigracionit, kryeministrja italiane Giorgia Meloni e fshikulloi Parisin për murin e krijuar prej tij në raport me emigrantët.
“Në vend që të izolojnë Italinë, do të bënin mirë të izolonin skafistët”, deklaroi ajo në një konferencë për shtyp, të mbajtur në mesin e një mosmarrëveshjeje tashmë publike me vendin fqinj.
“Që nga fillimi i vitit, në Itali kanë hyrë diku tek 90 mijë persona. Në marrëveshjen e zhvendosjes, pjesë e së cilës janë janë 13 vende europiane, llogaritet të zhvendosen rreth 8 mijë vetë, pra më pak se 10%. E dini sa janë zhvendosur deri tani? 117. E dini sa ka marrë Franca? 38 gjithsej”, tha Meloni.
Franca e paralajmëroi Italinë për pasoja të rënda kur pranoi të merrte një anije me mbi 200 emigrantë të shpëtuar ne Mesdhe, të cilëve Roma refuzoi t`ua lejonte zbritjen e në portet e vendit.
Ministri i brendshëm francez, Gerald Darmanin deklaroi se në bazë të rregullave të bllokut europian, emigrantët janë përgjegjësi e Italisë dhe se lëshimi i bërë këtë radhë prej palës franceze, ishte një lloj mase e jashtëzakonshme, ndërsa shtoi se Italisë i mungon humaniteti.
“Për çfarë zemërohet Franca? Qe Italia duhet të jetë porti i vetëm i zbarkimit të klandestinëve nga Mesdheu? Sepse nuk është shkruar asgjëkund në marrëveshje në gjë e tillë”, u shpreh plot ironi Meloni, që la të kuptohej se nuk i pranon presionet franceze.
“Kur flitet për shpagim, kjo është diçka që nuk funksionon në dinamikën europiane”, nënvizoi ajo, teksa shtoi gjithashtu se i kishte bërë “shumë përshtypje reagimi agresiv” i francezëve./TCH/