Një nga premtimet parazgjedhore të kryetarit aktual të komunës së Tetovës ishte se në fushën e barazisë mes burrave dhe grave do të angazhohet që në udhëheqjen e sektorëve 6 nga 11 të emërohen gra, por sot që ka kaluar një vit që kur ai është në këtë funksion, vetëm një sektor në komunë udhëhiqet nga një grua, shkruan Portalb.mk.
I pyetur me 14 tetor të vitit të kaluar se sa prej 11 sektorëve do të udhëhiqen nga gratë nëse ai do vinte në krye të komunës Kasami në #DebatPërmine deklaroi kështu:
“Shumica do të jenë gra, 6 nga 11.”
Ky premtim mbetet i parealizuar.
Pyetëm Kasamin se përse nuk e ka mbajtur këtë premtim, kështu u përgjigj ai:
“Udhëheqëse e sektorit juridik është grua. Për momentin është një, por në të ardhmen sigurisht do të ketë edhe më shumë“.
Komuna e Tetovës ka gjithsej dhjetë sektorë ndërsa së bashku me njësinë territoriale kundër zjarrit janë njëmbëdhjetë.
Ndërkaq emrat e udhëheqësve aktual të sektorëve, ku siç mësojmë disa prej tyre janë ushtrues detyre, mungojnë në ueb- faqen e komunës.
Përndryshe, partitë politike në fushatat e tyre zgjedhore premtojnë avancimin e barazisë gjinore, por në praktikë rrallë bëjnë përpjekje të dukshme për realizimin e premtimeve të tilla. Rezultat konkret është mungesa e grave në kuvend, në postet e ministrave, zëvendës-ministrave, kryetarëve të komunave dhe shumë të tjera.
Barazia gjinore në Maqedoninë e Veriut garantohet edhe me Kushtetutë. Ndërkaq raporti i fundit i Komisionit Evropian, listoi një sërë kritikash për vendin në këtë fushë.