Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, do të raportojë sot para Këshillit të Ministrave të BE-së për situatën në veri të Kosovës.
Siç thuhet në agjendë, punimet e Këshillit do të jenë dy ditë, më 14 dhe 15 nëntor, ndërsa do të diskutohen edhe tema të tjera.
Takimi fillon në ora 10:00 dhe mbahet në Bruksel, transmeton Klankosova.tv.
Ministrat do të shkëmbejnë pikëpamje mbi Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë ndikimin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe reagimin e BE-së në këtë drejtim.
Shkëmbimi do t’i paraprijë Samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet më 6 dhjetor në Tiranë.
Ministrat do të bëjnë vlerësimin e angazhimit të BE-së me rajonin që nga diskutimi i fundit i FAC në maj 2022 dhe do të diskutojnë çështje të tilla si përafrimi i partnerëve të Ballkanit Perëndimor me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, ndihmën e BE-së në atë fushë dhe krizën aktuale të energjisë.
Tutje në agjendë thuhet se ministrat pritet të fokusohen gjithashtu në zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor, si tensionet aktuale mes Serbisë dhe Kosovës*, situata politike në Mal të Zi dhe perspektiva
për Bosnjë dhe Hercegovinën.