Federata botërore e futbollit, FIFA ka ndarë një shumë prej 425 milionë eurosh për fondin e shpërblimeve në Kampionatit Botëror, “Katar 2022”. Sipas mediave botërore, kjo është një rritje prej rreth 40 milionë euro krahasuar me Botërorin në Rusi (2018), derisa fondi i çmimeve në Botërorin e Brazilit (2014) ishte pak më shumë se 345 milionë euro.
Në prill të këtij viti u konfirmua se kampioni i ri i botës do të arkëtojë një shumë rekorde prej 42 milionë eurosh, që është një rritje prej më shumë se tre milionë krahasuar me vitin 2018. Para vitit 2006, thuhet se kampioni i botës nuk ka arkëtuar kurrë më shumë se nëntë milionë euro, ndërsa Italia fitoi pak më shumë se dy milionë euro për fitimin e Kupës së Botës në vitin 1982, që është ndoshta treguesi më i mirë se sa faktori i rëndësishëm janë bërë paratë në futboll, si industri sportive.
Edhe pse çdo ekip duhet të paguajë rreth një milion e gjysmë euro si tarifë regjistrimi për të marrë pjesë në Botërorin e Katarit, të gjitha përfaqësueset do të kthehen nga ky vend dukshëm më të pasur.
Për pjesëmarrje në fazën e grupeve, FIFA ka siguruar shpërblim prej 8.7 milionë eurosh për secilën përfaqësuese, ndërsa për kualifikim në 1/8 e finales skuadrat do të kenë përfitime prej 12.5 milionë eurosh.
Për arritje në çerekfinale është i garantuar një çmim në të holla prej gati 16.5 milionë euro, ndërsa vendi i katërt do të shpërblehet me 24 milionë euro.
Për vendin e tretë është i garantuar një çmim prej 26 milionë eurosh, nënkampioni do të arkëtojë 30 milionë euro, kurse kampioni i botës gjithsej 42 milionë euro.
FIFA gjithashtu do të sigurojë më shumë se 200 milionë euro si kompensim për klubet, lojtarët e të cilëve do të luajnë në Kampionatin Botëror.