Si u gjetën votat e nevojshme për propozimin francez, do gjinden edhe votat e nevojshme kur të vijnë në Kuvend ndryshimet kushtetuese. Këtë optimizën e shprehu në një intervistë për Tv Globi me gazetarin Abedin Bilalli, zv.kryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Ai tha se ka zëra brenda VMRO-së dhe deputetëve të kësaj partie që e kanë kuptuar rrugën evropiane të vendit, e cila tha se është e vetme dhe sipas tij, do të ketë numër të mjaftueshëm votash për ndryshimet kushetetuese.
“Mendoj se në kuadër të deputetëve të VMRO-DPMNE-së por edhe vetë VMRO-së, çdo ditë e më shumë ka zëra se ata e kuptojnë se rruga e vetme për të ardhmen e këtij vendi është rruga e Bashkimit Evropian (BE). Një ditë do të duhet të kenë qendrim të qartë; janë pro rrugës evropiane apo janë pro ndonjë rruge tjetër që në këtë rast i bie që të jenë kundër anëtarësimit dhe integrimit në BE. Kjo në fakt bën ndarjen të bipolarizimit të shoqërisë politike në vendin tonë kur shumica e atyre që duan integrimin në BE janë qartë të orientuar dhe ata që janë kundër. Mendoj se ky është argument kryesor i cili më jep optimizimin se do të ketë numër të mjaftueshëm për ndryshimet kushetetuese”, deklaroi zv.kryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Sipas Bytyqit, ndryshimet kushtetuese nuk i bëjnë dëm asnjë etnie në vend.
“Ndryshimet kushtetuese nuk janë në dëm të asnjë etnie në RMV, përkundrazi një herë e përgjithmonë do e mbyllim atë nëse duam të integrohemi në BE”, deklaroi zv.kryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Nëse mund të ketë zgjerim të qeverisë me parti të tjera, Bytyqi tha se mbetet e hapur një mundësi e tillë, por për momentin nuk ka një lëvizje të tillë. Shtoi se në këtë drejtim nuk bisedohet zyrtarisht as me ASH-në.
“Nuk ka lëvizje të tilla zyrater, po dëgjojmë spekulime të ndryshme. Ne e dim se shumica parlamentare aktuale me 64 vota funksionon, bëhen kompromise të ndryshme, por ligje të caktuara kalojnë”, deklaroi zv.kryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.