LajmeMaqedoni

Islam Abazi mori zyrtarisht detyrën nga Vilma Ruskoska, ai dha betimin solemn dhe mohoi sërish të ketë marrëdhënie të ngushta me funksionar të BDI-së

Shefi i ri i PThP për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, Islam Abazi, ka dhënë sot betimin solemn para Këshillit të Prokurorëve Publikë, me të cilin ka premtuar se do ta kryejë detyrën me ndershmëri dhe profesionalizëm.

Nga aty ai shkoi në prokurori ku, siç paralajmëroi, gjëja e parë që do të bëjë është të kërkojë informacion se deri ku janë proceduar rastet pasi ka pasur takimin e parë me paraardhësen e tij Vilma Ruskovska.

Në një prononcim për media ai sërish ka mohuar të ketë marrëdhënie të ngushta me zyrtarë të BDI-së dhe se fotografitë që kanë dalë në publik janë nga dasma dhe takime të rastësishme që në asnjë mënyrë nuk do të ndikojnë në punën e tij për ndjekjen e krimit të organizuar.

Prokurori publik për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit është zgjedhur për një periudhë katërvjeçare, nga radhët e prokurorëve publikë të zgjedhur me të drejtë rizgjedhjeje.

Mandati, shefes së pezulluar PNKOK Vilma Ruskovska i skadon më 14 nëntor, ndërsa prokurori Trajçe Pelivanov më 29 gusht u emërua zëvendësues i  përkohshëm i saj. Pas ditës së votimit, Këshilli ka afat prej shtatë ditësh të emërojë kandidatin që ka fituar më shumë vota për kreun e ri të PNKOK.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, nuk do të ketë periudhë vakumi pasi mandati i Ruskovskës skadon më 14 nëntor.

Ruskovska, është suspenduar përkohësisht nga pozita e saj në bazë të vendimit të prokurorit publik Lubomir Joveski në mes të gushtit. Pezullimi i saj erdhi pasi ndaj saj nisi procedimi disiplinor dhe u bë kallëzim penal në lidhje me kontrollin e kryer në Drejtorinë e Policisë Financiare (DPF) më 18 korrik. Ruskovska ka parashtruar ankesë për suspendimin, por Këshilli i Prokurorëve Publikë e ka refuzuar si të pabazë, përkatësisht e ka konfirmuar pezullimin. Për këtë rast kallëzim penal ka bërë edhe ish-drejtori i DPF-së, ndërsa Ruskovska ishte planifikuar të dëshmonte javën e kaluar. Sipas deklaratës së saj, ai rast tashmë është nën hetim dhe ajo po trajtohet si e dyshuar.

Hetim po zhvillohet në Prokurorinë Publike të Shkupit, prej nga vjen njëri nga pesë personat e tjerë të paraqitur si pasardhës i saj, Erman Neziri. Ai është zëvendësi aktual i kreut të Prokurorisë së Shkupit, Gavril Bubevski.

Prokurorja Kadriu-Lleshi, nga ana tjetër, prej kohësh është pjesë e ekipit në Prokurorinë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në mars të këtij viti, Këshilli i Prokurorëve Publikë e rizgjodhi atë dhe katër kolegë të saj për një mandat të ri në këtë prokurori.

Show More

Related Articles

Back to top button