Në Universitetin e Tetovës, nga data 16 deri më 18 nëntor do t’i zhvillojë punimet Kongresi Ndërkombëtar i Shkencave Humane, Sociale dhe Arteve. Kjo ngjarje përfshin në vete organizimin e disa konferencave shkencore ndërkombëtare, të cilat i organizojnë fakultetet e Universitetit tonë, me qëllim të shpërndarjes dhe afirmimit të rezultateve kërkimore, shkëmbimit të përvojave dhe identifikimit të çështjeve kryesore, sfidave dhe pengesave, nga fushat përkatëse shkencore. Po ashtu, është një mundësi e jashtëzakonshme për të promovuar dhe forcuar bashkëpunimin dhe rrjetëzimin e mëtejshëm që mundëson shkëmbimin e ideve të studiuesve nga vende të ndryshme, nga fusha të ndryshme kërkimore dhe nga nivele të ndryshme të karrierës kërkimore-shkencore.
Studiuesve pjesëmarrës në këtë ngjarje shkencore me fjalë rasti ju drejtua Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i cili njëherit edhe zyrtarisht i shpalli të hapura punimet e këtij Kongresi. Sipas tij, ngjarjet e këtij niveli shkencor, qoftë nga ana organizative, qoftë sipas programit të ngjeshur të aktiviteteve, ku marrinë pjesë 485 hulumtues shkencorë nga 25 njësi akademike, paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për pjesëmarrësit, që të shkëmbejnë përvoja, ide e bashkëpunime për prurje të reja në fushat profesionale shkencore. Sigurisht se, ndihem i nderuar që në emër të Universitetit të Tetovës ta shpalli të hapur këtë Kongres, në kuadër të së cilit do të organizohen pesë konferenca shkencore. “Bazuar në përmbajtjen e përgjithshme dhe programin e punës, mund të theksojmë se ky Kongres vjen në një format të plotë, organizohet me një pjesëmarrje të madhe të autoriteteve shkencore, ndaj vlerësojmë se kjo veprimtari me ndikim për opinionin më të gjerë paraqet ngjarjen më të rëndësishme shkencore për vitin 2022. Bashkëpunimi profesional, korrekt dhe intensiv, me institucionet shtetërore, me universitete të tjerë, komunitetin akademik dhe grupe të tjera të interesit, e kanë shndërruar Universitetin e Tetovës në epiqendër të frekuentimit të intelektualëve e shkencëtarëve nga brenda dhe jashtë vendit. Jemi të bindur se ky bashkëpunim i frytshëm do të vazhdojë të zhvillohet, jo vetëm me qëllim të ngritjes së nivelit të hulumtimeve shkencore nga fushat e ndryshme, por edhe në zbatimin praktik të rezultateve të arritura nga puna kërkimore-shkencore”, u shpreh Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Fillimin e punimeve të këtij kongresi me prezencën e tij e nderoi edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës në vendin tonë, Jeton Shaqiri, i cili tha se vitet e fundit arsimi i lartë është fokusuar drejt nevojave të studentëve dhe drejt zhvillimit të shoqërisë. Me implementimin e metodave dhe praktikave të reja të harmonizuara të të mësuarit, ne sjellim një dimension krejtësisht të ri në proceset arsimore dhe ato i përshtatim me trendët bashkëkohorë. “Kur flasim për shkencën dhe veprimtarinë kërkimore-shkencore, më duhet të theksoj se për herë të parë këtë vit kemi paraparë mjete për projekte kërkimore-shkencore të institucioneve publike shkencore me interes për shtetin dhe qytetarët, si dhe mjete për zhvillimin e burimeve laboratorike në të gjitha fakultetet në vlerë të përgjithshme prej rreth 4 milionë euro. Besoj se këto mjete do të rriten në të ardhmen, ku do të arrijmë mesataren evropiane dhe botërore, sepse pa arsim të lartë bashkëkohor të zhvilluar dhe pa shkencë asnjë vend nuk mund të konsiderohet në rritje dhe zhvillim”, theksoi mes tjerash ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.
Ligjëratën tematike në hapjen e punimeve të këtij Kongresi e zhvilloi profesoresha universitare, Prof. Dr. Clare Gartland nga Universiteti i Suffolkut të Anglisë, me temë: “Pjesëmarrja e zgjeruar e studentëve ambasadorë në arsimin e lartë”.
Në përmbyllje të kësaj ngjarjeje, Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullne Ameti, në shenjë falënderimi për pjesëmarrjen në hapjen solemne të këtij Kongresi, ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri dhe profesoreshës angleze, Prof. Dr. Clare Gartland, u ndau nga një dhuratë simbolike.