Sot do t’i jepet lamtumira e fundit ish-presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani. Sipas protokollit zyrtar, prej orës 10:00 deri në ora 12:00 do të zhvillohet ceremonia e homazheve në mjediset e Presidencës. Më pa,s trupi i pajetë do të drejtohet drejt varrezave të Sharrës ku do të prehet ish-presidenti.
Këshilli i Ministrave të Shqipërisë e ka shpallur ditën e sotme ditë zie kombëtare. Sipas vendimit të qeverisë, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.
Ish-presidenti Bujar Nishani ka vdekur pesë ditë më parë në një spital në Gjermani ku ka qenë i shtruar prej javësh. Ai ka vuajtur nga një sëmundje autoimune e mëlçisë dhe pasojat që i ka lënë COVID-19, fatkeqësisht, e kanë përkeqësuar gjendjen e tij.
Trupi i pajetë i ish-presidentit Nishani ka mbërritur në Shqipëri në orët e para të së mërkurës, ndërsa në sallën “Skënderbeu” në Presidencë, gjatë ditës së djeshme janë mbajtur homazhe.