LajmeRajon

Petkoviq: S’kemi marrëveshje për targat

Drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka mohuar të jetë arritur ndonjë marrëveshje me Kosovën për çështjen e targave.

Ai ka thënë se i demanton “fuqishëm” raportimet e televizionit publik serb RTS se është arritur ujdia me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.

“Do të doja të mohoja fuqishëm publikimin e një lajmi absolutisht të rremë që është shfaqur jo vetëm në portalin e shërbimit publik serb, por edhe në emisionin e tyre kryesor të lajmeve, në edicionin e mëngjesit, ku thuhej se mbrëmë vonë kam rënë dakord me Bislimin për të zgjatur vlefshmërinë e targave ekzistuese KM për 10 muaj, dhe pastaj të kalohet në targa RKS, si dhe Asociacioni do të diskutohet në kuadër të propozimit franko-gjerman”, tha Petkoviqi.

I ftuar në televizionin serb “Pink”, ai ka theksuar se “ky është një trillim i pastër, gënjeshtër dhe propagandë që vjen nga Prishtina”.

Ai thotë se dje ka qenë në Beograd gjatë gjithë ditës dhe se dy-tri javët e fundit nuk është dëgjuar me të dërguarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

“As nuk më ka thirrë njeri, as kam qenë aty, kam qenë në Beograd gjatë gjithë kohës… Kjo lloj lufte propagandistike dhe informative që po bën Prishtina ndaj Beogradit, në momentin kur na ndajnë vetëm tri ditë nga fillimi i politikës ndëshkuese të Albin Kurtit ndaj serbëve, ku kërkon të gjobitet 150 euro për këdo që ka targa KM, është absolutisht e papranueshme”, tha Petkoviqi.

Show More

Related Articles

Back to top button