Raporti i ri i përditësuar i Komisionit Europian ka hequr dyshimet e shtetit që me vite pati qëndrim skeptik për heqjen e vizave për Kosovën. Holanda tashmë është pro liberalizimit.
Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës në një përgjigje për Gazetën Express për herë të parë ka thënë se tanimë mund të jenë dakord që Kosovës t’i hiqen vizat pasi kanë parë të gjeturat nga raporti për Kosovën i KE-së.
“Holanda tani mund të bie dakord për liberalizimin e vizave pasi përditësimi i Komisionit dhe raporti i progresit tregojnë një trend pozitiv”.
Shteti holandez ka lavdëruar Qeverinë aktuale të Kosovës për përparim në fushat që më herët kanë qenë shqetësuese për të dhe që kanë ndikuar në mbajtjen e një qëndrimi kundër procesit të liberalizimit.
“Kemi parë kryesisht progresin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, migrimin dhe menaxhimin e kufijve, si dhe kundër terrorizmit. Ne përgëzojmë progresin e bërë në agjendën e reformave nga qeveria Kurti. Ky progres tani do të duhet të vazhdojë. Është shumë e rëndësishme që Kosova të harmonizojë më tej politikën e saj të vizave me politikën e vizave të BE-së”, thuhet në përgjigje.
Por, Holanda thotë se qeveria e saj “do të monitorojë progresin në këtë drejtim”.
Ndryshimet politike që ndodhën në Europë dhe premtimet e bëra së fundi nga zyrtarët e lartë të Bashkimit Europian për afrimin e Ballkanit Perëndimor më pranë Unionit sollën sërish në diskurs të opinionit kosovar çështjen e vizave.
Procesi, i bllokuar në Këshillin e BE-së, u diskutua së fundi nga grupi punues për vizat i Këshillit të BE-së, por lajmet që dolën nga këto diskutime sërish thelluan zhgënjimin. Në një takim të këtij grupi të mbajtur më 13 tetor, zyrtarët francezë propozuan që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e të ashtuquajturit sistem ETIAS. Prandaj, propozimi i Çekisë, vend që aktualisht udhëheq Presidencën e BE-së, ishte që liberalizimi i vizave të lidhej me funksionalizimin e sistemit të udhëtimit ETIAS, siç kërkoi Franca, por njëherësh të caktohej edhe data e fuqizimit të vendimit: “jo më vonë se 1 dhjetori i vitit 2023”.
Për vendet që vazhdojnë të kenë hezitime, Presidenca çeke ka thënë se do të punojnë për t’i sqaruar ato, por ka refuzuar të tregojë se cilat janë ato shtete me arsyetimin se do të dëmtohen përpjekjet për të çuar përpara procesin.
“Negociatat vazhdojnë. Ne kemi marrë disa reagime përsëri në lidhje me propozimin, kështu që ka ende disa çështje që duhen sqaruar. Fatkeqësisht nuk mund të flas për shtetet anëtare konkrete dhe shqetësimet e tyre pasi kjo mund të ndikojë në përpjekjet tona për të arritur një marrëveshje për liberalizimin e vizave për Kosovën sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë të mërkurën zëdhënësja e Presidencës çeke, Eva Hrncirova.