LajmeMaqedoni

DIGJITALIZIM TË PLOTË TË DOGANËS DHE ZHDOGANIM NË NJË ORË! Intervistë me drejtoreshën e Doganave të Maqedonisë, Slavica Kutirov

Vënia në funksion të sistemeve të reja elektronike dhe përmirësimi i atyre ekzistuese na jep të drejtën të themi se sot Drejtoria e Doganave priret drejt procedurave doganore plotësisht të automatizuara dhe me tendencë për të vazhduar me ritëm të shtuar në atë drejtim, duke aplikuar teknologjinë dhe mjetet më moderne. Kështu në një bisedë me gazetën KOHA është shprehur drejtoreshën e Doganave të Maqedonisë, Slavica Kutirov, ndërsa ka folur edhe për mbledhjen e të hyrave që mbushin buxhetin e shtetit, kontrollet efikase për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve, si dhe aplikimin e vazhdueshëm të masave për lehtësimin e mëtejmë në tregtinë legale

Bisedoi: Llausha ZENUNI

KOHA: Transformimi digjital i shoqërisë po bëhet një domosdoshmëri dhe fokus kryesor i institucioneve. Si i ndjek Drejtoria e Doganave këto trende dhe cilat projekte janë realizuar në praktikë?

KUTIROV: Prioritetet dhe qëllimet themelore në të cilat është fokusuar Drejtoria e Doganave janë, para së gjithash, mbledhja efikase e të hyrave që mbushin buxhetin e shtetit, kontrollet efikase për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve, si dhe aplikimi i vazhdueshëm i masave dhe aktiviteteve të reja për lehtësimin e mëtejmë në tregtinë legale, e cila nga ana tjetër ndikon në përmirësimin e konkurrencës së kompanive tona. Procesi i digjitalizimit të punëve doganore ka qenë i lartë në agjendën e Drejtorisë së Doganave në dekadën e fundit dhe është pasqyruar edhe në dokumentet dhe planet tona strategjike. Vënia në funksion të sistemeve të reja elektronike dhe përmirësimi i atyre ekzistuese na jep të drejtën të themi se sot Drejtoria e Doganave priret drejt procedurave doganore plotësisht të automatizuara dhe me tendencë për të vazhduar me ritëm të shtuar në atë drejtim, duke aplikuar teknologjinë dhe mjetet më moderne.

Një moment kyç në transformimin digjital të Drejtorisë së Doganave ishte krijimi dhe vënia në përdorim e Sistemit të ri për Përpunimin e Deklaratave Doganore dhe Dokumenteve të Akcizës – SPDDDA në vitin 2019. Me të, pas më shumë se 20 vitesh, sistemi i vjetër informativ u zëvendësua me një platformë të re të avancuar për punën doganore pa letra, duke siguruar integrimin me sistemet doganore tashmë të krijuara, siç është Sistemi për Lëshimin Elektronik të Lejeve të Importit dhe Eksportit – EXIM, Sistemi i Tranzitit – SRKT, Mjedisi i Integruar Tarifor – MIT, si dhe mundëson ndërveprim me sistemet e institucioneve qeveritare dhe sistemet doganore të Bashkimit Evropian. Nëpërmjet këtij sistemi, mbi njëqind mijë deklarata doganore dhe dokumente të akcizës përpunohen elektronikisht në baza mujore.

Por sigurisht që nuk u ndalëm me kaq. Tashmë po punohet për zhvillimin dhe vënien në funksion të sistemeve të reja, të bazuara në radhë të parë në legjislacionin dhe praktikën evropiane, zbatimi i të cilave është pjesë e kushteve për aderimin e vendit tonë në BE. Në atë drejtim është edhe implementimi i Sistemit të ri të Kompjuterizuar të Transitit SRKT faza 5, i cili nga viti 2024 duhet të zëvendësojë sistemin ekzistues të transitit SRKT. Ky sistem është shumë i rëndësishëm për operatorët ekonomikë, sepse me të do t’i mundësojmë vendit tonë që të vazhdojë të jetë pjesë e sistemit evropian të transitit dhe Konventës së Përbashkët të Transitit, e cila nga ana tjetër u mundëson kompanive tona të zbatojnë standardet evropiane dhe mbi të gjitha mundësinë të kalojnë transit nëpër vendet e BE-së me ndalesa minimale.

Një tjetër projekt i rëndësishëm për të cilin po punojmë së bashku me Bankën Botërore është Sistemi i ri Kombëtar One-Stop-Shop, i cili duhet të ofrojë një platformë shërbimi kombëtar të centralizuar, duke integruar sistemet e TIK-ut doganor dhe sistemet e institucioneve të tjera qeveritare. Këto shërbime përfshijnë akses të centralizuar në të gjitha shërbimet përmes një pike të vetme për dorëzimin dhe lëshimin e dokumenteve doganore dhe lejeve të import-eksportit nga institucione të tjera, shërbime për pagesën qendrore të të gjitha detyrimeve, por edhe shkëmbim informacioni dhe analizë të përbashkët të rrezikut me autoritetet e tjera shtetërore për kontrolle më efektive, të cilat nga ana e tyre do të ndikojnë në uljen e ekonomisë gri. Në këtë drejtim, me mjete nga fondet IPA, po punohet edhe në vënien në funksion të një sistemi të ri për përmirësimin e kontrolleve dhe hetimeve të Drejtorisë së Doganave, si dhe të një sistemi të ri të automatizuar për menaxhimin e terminaleve doganore. Po ashtu, po punohet për zëvendësimin e atij ekzistues me një sistem të ri për video vëzhgim dhe njohje automatike të targave, përmes të cilit planifikojmë shkëmbimin e të dhënave me sistemet e Ministrisë së Punëve të Brendshme në pikat kufitare. Këto sisteme do të kenë një kontribut të rëndësishëm në përshpejtimin e fluksit ndërkufitar, kontrolle më efektive, por do të ndikojnë edhe në parandalimin e disa dukurive korruptive.

KOHA: Çfarë risi dhe përfitime mund të presin kompanitë nga këto aktivitete në të ardhmen e afërt?

KUTIROV: Drejtoria e Doganave për një kohë të gjatë është duke punuar intensivisht në përmirësimin e Sistemit për Përpunimin e Deklaratave Doganore dhe Dokumenteve të Akcizës dhe deri në fund të muajit do të vëmë në përdorim një risi të rëndësishme në punët doganore. Kjo risi mundëson përfundimin plotësisht automatik të procedurës doganore brenda një ore pas dorëzimit të deklaratës doganore. E njëjta gjë do të vlejë edhe për të ashtuquajturat deklarata doganore të gjelbra, pra deklarata të plotësuara saktë, me të gjitha dokumentet e bashkangjitura në mënyrë elektronike dhe që sistemi i ka përzgjedhur si jo të rrezikshme, pra që nuk i nënshtrohen kontrolleve shtesë. Natyrisht, ka edhe një kusht, që tashmë të jenë paguar ose siguruar detyrimet. Përfundimi plotësisht automatik i procedurës do të thotë që agjentët do të mund ta kryejnë atë në distancë, pa ardhur në terminalet doganore dhe pa asnjë ndërveprim nga ana e nëpunësit doganor. Me këtë risi, për herë të parë do të ofrojmë një procedurë të plotë pa letra.

Gjithashtu, këtë muaj, përmes platformës së ndërveprueshmërisë, po lidhemi me sistemin e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve dhe po lançojmë shërbime të reja, me ndihmën e të cilave nëpunësit doganor në pikat kufitare do të mund të kontrollojnë lejet e transportit të transportuesve, ekstraktet e patentës dhe certifikatat e shoferit. Në të njëjtën kohë për raportimin e dokumenteve të pavlefshme, sistemi do t’i dërgojë automatikisht një njoftim Inspektoratit Shtetëror të Transportit, si kompetent për veprime të mëtejshme. Me këtë presim që të parandalohen plotësisht dukuritë e mundshme të dorëzimit të dokumenteve të rreme apo të pavlefshme të transportit nga transportuesit. Është e rëndësishme të theksohet se të gjitha këto sisteme dhe shërbime të reja kanë ndikim në uljen e faktorit njerëzor dhe mundësinë e vendimmarrjes subjektive nga nëpunësit doganor, gjë që ndikon në uljen e korrupsionit.

KOHA: Muajin e kaluar, me rastin e fillimit të procesit të skriningut, keni qenë edhe në Bruksel. Çfarë ju rekomanduan atje?

KUTIROV: Fillimi i negociatave për ne nënkupton vazhdimin e punës me dinamikë dhe intensitet më të madh drejt harmonizimit dhe zbatimit të legjislacionit evropian dhe të gjitha sistemeve dhe mekanizmave të tjerë që dalin prej tij, të cilat kryesisht janë të inkorporuara tashmë në planet tona. Ne menaxhojmë Kapitullin 29 – Bashkimi Doganor, pjesë e Klasterit 3 – Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse, i cili koordinohet nga Ministri i Financave. Por në të njëjtën kohë marrim pjesë edhe në grupet e punës të disa kapitujve të tjerë ku kemi kompetenca. Në grupet e punës presim mbështetje nga komuniteti i biznesit dhe ai akademik.

Vlerësimet e Komisionit Evropian në pjesën e Bashkimit Doganor janë pozitive, gjë që vërehet edhe në raportin e progresit të vendit, të publikuar nga Komisioni Evropian, ku është vërejtur “progres i mirë” për këtë kapitull dhe nivel i lartë i respektimit të legjislacionit doganor. Me takimin shpjegues për Kapitullin 29 – Bashkimi Doganor, i mbajtur në Bruksel në fund të muajit të kaluar, praktikisht u zhvillua faza e parë e prezantimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian në fushën e punëve doganore për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në periudhën në vijim do të fillojnë aktivitetet për përgatitjen e skriningut dypalësh, në të cilin do të paraqesim progres në të gjitha fushat në kompetencën tonë, gjegjësisht harmonizimin e mëtejshëm të legjislacionit doganor, përmirësimin e standardeve të integritetit, luftën kundër korrupsionit, si dhe projekte për digjitalizim të mëtejshëm në përputhje me planin strategjik shumëvjeçar të BE-së për krijimin e e-Doganave.

Në fund, dëshiroj të theksoj se gjatë realizimit të të gjitha këtyre projekteve dhe aktiviteteve, bashkëpunimi dhe komunikimi i vazhdueshëm me komunitetin e biznesit ka qenë imperativ për shumë vite në punën tonë, dhe ne i kushtojmë vëmendje të veçantë kësaj. Drejtoria e Doganave mban mbledhje të rregullta të Trupit Këshillëdhënës, në të cilat janë anëtare të gjitha odat ekonomike dhe shoqatat e tjera tregtare dhe transportuese, ku aktualisht shqyrtohen çështjet e hapura dhe diskutohen propozimet për ndryshime në punën doganore. Kjo është e rëndësishme sepse Dogana është një hallkë e rëndësishme në zinxhirin e furnizimit ndërkombëtar, që bazohet në standarde dhe rregulla të përbashkëta që janë të përfshira domosdoshmërisht në punët doganore, duke ndikuar kështu në progresin dhe zhvillimin e kompanive vendase dhe rritjen e konkurrencës së tyre në tregun global.Koha/

Show More

Related Articles

Back to top button