“Mes tyre ishin 437 fëmijë”, tha prokurori i përgjithshëm Andriy Kostin, sipas një raporti të agjencisë ukrainase të lajmeve “UNIAN”.
Mbi 11 000 banorë janë plagosur gjatë luftës, e cila ka zgjatur pothuajse nëntë muaj.
Sipas Kostin, numri aktual i të vdekurve ka të ngjarë të jetë më i lartë pasi autoritetet ukrainase nuk kanë ende akses në disa zona të pushtuara nga Rusia.
Në rajonet e çliruara, trupat ukrainase vazhdojnë të gjejnë trupa dhe dëshmi të mizorive të dyshuara.
Autoritetet ukrainase kanë regjistruar deri më tani mbi 45 000 krime lufte, ku 216 persona janë raportuar si kriminelë të dyshuar lufte, duke përfshirë 17 të burgosur rusë të luftës. Dymbëdhjetë nga 60 të akuzuarit tashmë janë dënuar.
“Ndërkohë, centrali bërthamor në Zaporizhia është tronditur nga disa shpërthime të fuqishme”, njoftoi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA).
“Ekspertët e IAEA-s në terren kanë raportuar dhjetëra dëme pranë vendit të objektit më të madh bërthamor të Evropës”, tha agjencia në një deklaratë.
“Incidentet e të shtunës dhe të dielës, papritur i dhanë fund periudhës relativisht të qetë në objekt”, tha shefi i IAEA-s, Rafael Grossi.
Ministria ruse e Mbrojtjes akuzoi forcat e armatosura ukrainase për bombardime masive ndaj centralit bërthamor që nga e shtuna.
“Vetëm të dielën në mëngjes, 12 predha të kalibrit të madh iu drejtuan centralit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenkov, sipas agjencive ruse të lajmeve.
“Tetë predha goditën blloqet e reaktorit dhe një tjetër goditi çatinë e një ndërtese”, tha ai.
“Rrezatimi rreth centralit bërthamor ishte normal”, shtoi Konashenkov.
“Kushdo që qëndron pas kësaj, duhet të ndalet menjëherë. Siç e kam thënë edhe më parë, ju po luani me zjarrin”, tha Grossi.
Shefi i IAEA-s u bëri thirrje sërish të dyja palëve që të krijojnë një zonë të sigurt rreth objektit ku të mos ketë sulme dhe luftime.
“Negociatat intensive mes të dy palëve nuk kanë rezultuar ende në një marrëveshje”, tha ai. /DPA/