Deputetët e Kuvendit të RMV-së dje me 85 vota “për” dhe asnjë të përmbajtur apo kundër miratuan ndryshimet në Kodin Penal në lexim të parë. Ndër nenet e tjera, ndryshimet parashikojnë mbrojtje më të madhe të gazetarëve dhe punonjësve të mediave në rast të sulmeve të mundshme, përkatësisht dënim me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vjet për ata që sulmojnë gazetarët, transmeton Portalb.mk.
Megjithatë, që Kodi Penal të hyjë në fuqi, është e patjetërsueshme që ndryshime të tilla në Kuvend të kalojnë në lexim të dytë. Koha që do të duhet për të kaluar votimin përfundimtar për ndryshimet në Kodin Penal në lexim të dytë do të varet nga diskutimi në komision dhe prioriteti që deputetët do t’u japin këtyre ndryshimeve në seancat e ardhshme parlamentare.
Ndryshe, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Sindikata e gazetarëve në fillim të nëntorit të këtij viti reaguan se kanë kaluar 17 muaj që kur Qeveria, përkatësisht Ministria e Drejtësisë, i ka dërguar në Kuvend këto ndryshime të Kodit Penal për miratim. Ata kërkuan miratimin e menjëhershëm të ndryshimeve në Kodin Penal, të cilat do të mundësonin mbrojtje më të madhe të gazetarëve dhe punonjësve të mediave, pasi sulmet ndaj tyre do të trajtoheshin sipas detyrës zyrtare nga prokuroria dhe institucionet.
Nëse miratohen ndryshimet në Kodin Penal, atëherë vrasja, detyrimi, rrezikimi i sigurisë dhe pengimi i një zyrtari në kryerjen e një veprimi zyrtar janë veprat e reja që do të futen me ndryshimet në Kodin Penal, në pjesën për mbrojtjen e gazetarëve në kryerjen e detyrave të tyre të punës.
Përveç gazetarëve, neni 6 paragrafi 8 i referohet edhe privimit nga jeta të gjyqtarit, prokurorit publik gjatë ushtrimit të funksionit të tij, përkatësisht të veprimtarisë, avokatit, mjekut apo punonjësve tjerë shëndetësor, apo ndonjë personi tjetër që kryen punë me interes publik në ushtrimi i detyrave të tij profesionale, ose në lidhje me kryerjen e detyrave profesionale të ndërmarra në kuadër të kompetencave të tyre nga një person zyrtar ose ushtarak në kryerjen e sigurisë publike ose shtetërore ose në detyrën e ruajtjes së rendit publik, kapjen e autorit të një vepre penale ose mbajtja e një personi të privuar nga liria.
Organizatat gazetareske në fillim të muajit shprehën shqetësimin e tyre për ngecjen e miratimit të ndryshimeve ligjore në Kuvend, me qëllim të përbashkët – ndryshime pozitive në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës së gazetarëve dhe punonjësve të medias, si dhe rikujtuan raportin e fundit të Komisionit Evropian ku thuhet se Maqedonia e Veriut ka arritur një nivel të caktuar në fushën e lirisë së shprehjes, në përgjithësi ka pasur progres të kufizuar në raport me rekomandimet e BE-së. Gjithashtu u theksua nevoja për vazhdimin e procesit të vetërregullimit, i cili duhet të çojë në përmirësimin e standardeve profesionale në gazetari.