Ministria e Financave dhe Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sigurojnë 50 milionë euro përkrahje direkte financiare për komunat në Republikën e Maqedonisë së Veriut për realizimin e projekteve për përmirësimin e infrastrukturës ujore. Sot, u nënshkruan marrëveshjet për realizimin e këtij projekti nga ministri i Financave, Fatmir Besimi, nënkryetarja e BEI-t, Liljana Pavlova dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, në prani të ambasadorit evropian David Gir.
“Kjo marrëveshje, e cila konfirmon përkrahjen e vazhdueshme të BEI-t për Republikën e Maqedonisë së Veriut, ofron 50 milionë euro të reja përkrahje direkte financiare për Qeverinë e RMV-së, që do t’u shpërndahet komunave dhe komunave të qytetit të Shkupit si donacion për realizimin e projekteve të infrastrukturës komunale. Ky projekt është pjesë e politikave të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për zhvillim të balancuar rajonal dhe pritet që përmes investimeve në infrastrukturën komunale të stimulohet zhvillimi i komunave në vend”, tha ministri Besimi gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve.
Ai shtoi se kjo do të thotë përmirësim i kushteve të qytetarëve, veçanërisht në zonat rurale dhe përafrim i vendit tonë me standardet e BE-së.
Nënkryetarja e BEI-së thekson se ky është një investim strategjik për vendin me përkrahjen e ekipit evropian dhe është prioritet për sigurimin e kushteve më të mira të jetesës për qytetarët, si dhe për rrugën drejt BE-së dhe harmonizimin e standardeve evropiane. “Do të ndihmojë”, theksoi ajo, “për të siguruar mjete financiare për sektorin e infrastrukturës ujore dhe për t’u siguruar partnerëve tanë vendor një burim financiar afatgjatë për të plotësuar nevojat dhe qëllimet e tyre të qëndrueshme”.