LajmeMaqedoni

Ambasadorja e Maqedonisë do të thirret sot në MPJ-në e Bullgarisë për shkak të sulmit në klubin “Car Borisiu i Treti” në Ohër

Ambasadorja e Maqedonisë, Agnesa Rusi-Popovska, sot do të thirret në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Sofje, ku do t’i dorëzohet një demarsh i ashpër për shkak të sulmit të armatosur në klubin kulturor bullgar “Car Borisi i Treti” në Ohër, raportojnë mediat bullgare, transmeton Portalb.mk.

Qysh brëmë, siç raporton agjencia e lajmeve BGNES, diplomatët bullgarë kanë informuar në detaje kryesinë e Komisionit Evropian (KE) për incidentin në Ohër.

Mbrëmjen e djeshme në policinë e Ohrit është raportuar për dëmtim të xhamit të klubit bullgar nga armë zjarri.

Ekipet policore të SPB Ohër të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes kanë konstatuar se xhami i derës së jashtme dhe xhamit të dritares së zyrës kanë dy dëmtime të shkaktuara nga armët, tha zëdhënësi i SPB-së Ohër, Stefan Dimoski.

Mediat bullgare kanë publikuar një video të sulmit në klub, pas së cilës në vendngjarje ka mbërritur menjëherë konsulli bullgar në Manastir, Dimitar Ivanov.

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut mbrëmë ka dënuar ashpër aktin vandal, duke shprehur shqetësim të veçantë për faktin se aktivitete të tilla përsëriten në një periudhë shumë të shkurtër kohore.

“Ngjarje të tilla janë krejtësisht të papranueshme, mund të rrezikojnë jetë njerëzish, dhe të intensifikojnë proceset retrograde që janë në kundërshtim me integrimet evropiane të vendit”, thuhet në komunikatën e MPJ-së së Maqedonisë.

Nga aty u kanë bërë thirrje institucioneve kompetente që të hetojnë rrethanat në të cilat kanë ndodhur këto aktivitete vandale dhe të marrin masa të menjëhershme për zbulimin e autorëve, si dhe të ndërmarrin veprime shtesë parandaluese për të siguruar kushte adekuate për mbarëvajtjen e aktiviteteve të këtij dhe të gjitha klubeve dhe shoqatave të tjera civile në vend.

Njëkohësisht, Ministria e Punëve të Jashtme u bëri thirrje të gjithë qytetarët për sjellje të përgjegjshme dhe respektim të të drejtave dhe lirive të të tjerëve, duke theksuar se karakteri multietnik i vendit tonë është një nga vlerat themelore të rendit kushtetues, që është një e drejtë dhe detyrim për secilin prej nesh.

Kjo është hera e tretë që dëmtohet ky klub. Dy ditë më parë u dëmtuan xhamat e ambienteve të klubit “Car Boris Treti”. Ngjarja ka ndodhur natën e datës 20 dhe 21 nëntor nga ora 1 deri në 2 të mëngjesit, ku xhamat e hapësirës janë thyer me gurë, pas së cilës policia ka kryer hetimet.

Klubet kulturore bullgare në RMV

Hapja e klubit kulturor maqedonas në Bullgari vijon pas hapjes së shoqatave apo klubeve kulturore bullgare në Maqedoninë e Veriut, njëri në Manastir (“Vanço Mihajllov”) dhe tjetri në Ohër (“Car Borisi i Tretë”). Emrat e këtyre dy klubeve, maqedonasit i konsiderojnë kontestues, pasi sipas tyre, janë pjesë e historisë së errët të Bullgarisë.

Ministria e Punëve të Jashtme të RMV-së, ka apeluar deri te të gjithë qytetarët, grupet politike dhe jopolitike, për sjellje të matur dhe dinjitoze, të bazuar në respektimin e të drejtës së të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike, për të ushtruar të drejtën kushtetuese për tubim dhe shprehje të lirë të mendimit.

Më 16 prill 2022, kryeministri bullgar Kirill Petkov, bashkë me funksionarë të lartë bullgar dhe ministrin e Punëve të Jashtme të RMV-së, Bujar Osmani, morën pjesë në hapjen e klubit bullgar “Vanço Mihajllov”. Për opinionin maqedonas ishte emri i klubit ishte diskutabil.

Më 4 qershor 2022, këngëtari maqedonas Lambe Alabakovski ia ka vënë flakën pjesës së hyrjes së klubit.

Më 7 tetor të këtij viti, u hap klubi tjetër bullgar me emrin “Car Borisi i Tretë”. Një grup maqedonas protestuan në Ohër kundër hapjes së klubit me pankarta antifashiste, duke aluduar në veprimtarinë e Car Borisit të Tretë të Bullgarisë si aleat të Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Protesta ishte në atmosferë të tensionuar, ndërkaq disa prej qytetarëve kanë gjuajtur në drejtim të objektit.

Më 12 tetor, Policia njoftoi se ka marrë paraqitje se është dëmtuar tabela e klubit kulturor “Car Borisit i Tretë” i Bullgarisë në Ohër

Në ndërkohë, ka pasur paralajmërime për për formimin edhe të një shoqate tjetër bullgare në Maqedoninë e Veriut me emrin e Car Ferdinandit, i cili ka sunduar me Bullgarinë gjatë Luftës së Parë Botërore. Veprimtaria e Car Ferdinandit konsiderohet e dëmshme për Maqedoninë e Veriut, andaj edhe kundërshtohet regjistrimi i shoqatës me emrin e tij. Por, edhe emri i klubit maqedonas kontestohet nga pala bullgare, duke e konsideruar pjesë të historisë bullgare.

Kryeministri Kovaçevski, ka thënë se institucionet po bëjnë gjithçka të mundur për zgjidhjen e këtij problemi, të cilin ai e ka quajtur si “provokim të rëndë”.

“Ne kemi formuar komision që duhet të vlerësojë nëse kjo shoqatë duhet të lejohet. Institucionet duhet të përcaktojnë nëse formimi i tyre është në përputhje me legjislacionin tonë. Gjithashtu, kemi angazhuar Ministrinë e Drejtësisë për hartimin e një ligji të ri për regjistrimin e shoqatave që do të ketë për bazë ligjin gjerman. Veç kësaj, në hartimin e ligjit kam kërkuar që të përfshihen të gjitha palët, e edhe pjesëtarët e komunitetit hebre”, ka deklaruar Kovaçevski.

Sofja zyrtare në vitin 2019-të kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Me ndërmjetësimin e Francës, në RMV dhe Bullgari u votua një propozim për zgjidhjen e problemeve mes bullgarëve dhe maqedonasve, ndërkaq më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese, gjegjësisht derisa nuk futen bullgarët në Kushtetutën e RMV-së. 

Show More

Related Articles

Back to top button