Kryeministri, Dimitar Kovaçevski dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në konferencën e sotme për media, kritikuan komunat për mos raportimin me kohë të shkollave dhe ndërmarrjeve komunale për masat për subvencionimin e energjisë elektrike, prandaj pushteti qendrore duhet të marrë direkt kompetencat e pushtetit lokal. Gjithashtu, siç theksoi Bekteshi, disa nga komunat kërkuan që qeveria të mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike të ndërtesave administrative dhe shpenzime të tjera. Nga 474 shkolla fillore dhe të mesme në vend, për rrymë të subvencionuar kanë aplikuar vetëm 233, kurse nga 70 ndërmarrje publike në vend kanë aplikuar 50 subjekte, raporton Klan M.
”Nëse shikoni shifrat, nuk janë të regjistruara të gjitha shkollat fillore dhe të mesme, dhe fatkeqësisht nuk janë të regjistruara as të gjitha ndërmarrjet publike, që do të thotë se në kohë krize shteti duhet me vendim të marrë drejtpërdrejt përgjegjësitë e komunave, që është për keqardhje dhe këtë duhet ta them. Dua të shfrytëzoj rastin për t’u bërë thirrje kryetarëve të komunave të ndjekin të gjitha mundësitë që u jep qeveria për të raportuar në kohën e duhur” – tha Kovaçevski.
Ndërkaq, sipas vendimit të Qeverisë, kompanitë që prodhojnë produkte ushqimore bazë si vaj ushqimor, bukë dhe produkte furre, miell, qumësht dhe produkte qumështi, industria e mishit do të marrin energji elektrike të subvencionuar përmes “EMV-së” me çmim 80 euro për megavat/orë. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi njoftoi se pavarësisht nëse do të përdorin energjinë elektrike të subvencionuar apo jo, duhet të ulin çmimet e produkteve. Nëse kjo nuk ndodh, sipas tij, qeveria do të marrë masat e duhura.
“Që nga 1 dhjetori, të gjitha kompanitë që mund ta përdornin këtë masë, janë rreth 1000. Disa janë furra të vogla, janë dhe rreth 180 prodhues të mëdhenj, të gjithë të ulin çmimet e produkteve që janë të në Vendimin të përcaktuar me marzhën tregtare. Nëse kjo nuk ndodh, do ta shihni vetë se çfarë masash do të merren”, tha Bekteshi.
Mbrëmë ka mbaruar afati i paraqitjes së kompanive dhe institucioneve publike që do të subvencionohen nga 1 dhjetori, ndërsa kryeministri Dimitar Kovaçevski sot bëri të ditur se subjektet tjera do të mund të aplikojnë sërish, por që do të marrin rrymë të subvencionuar nga 1 janari. Gjithsej në të gjithë vendin për rrymë të subvencionuar janë paraqitur 235 kompani që prodhojnë ushqime bazë, të njëjtat do të furnizohen me rrymë elektrike për 80 euro MW/h.(KlanM)