BotaLajme

Turqia godet objektet e naftës në Sirinë Veriore

Dronët turq po godasin objektet kryesore të naftës nën kontrollin e Forcave Demokratike Siriane (SDF) të drejtuara nga kurdët në Sirinë verilindore, njoftuan tre burime vendase. Sulmet ajrore u dënuan me forcë nga Shtetet e Bashkuara.

SDF-ja njoftoi se dhjetëra persona, ndër ta edhe 11 luftëtarë të saj, u vranë gjatë sulmeve. Kjo është hera e parë që Turqia ka sulmuar sistematikisht fushat e naftës në rajonin e kontrolluar nga SDF-ja.

Avionët turq filluan gjatë fundjavës sulme ajrore ndaj bazave të milicisë kurde siriane YPG të vendosura në Sirinë veriore, duke shkaktuar edhe kundërpërgjigje në formën e sulmeve përgjatë kufirit sirian.

SDF-ja, një partnere e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër Shtetit Islamik, tha se Turqia ka goditur më thellë në territorin sirian se gjatë operacioneve të mëparshme dhe se sulmet kishin vrarë 15 civilë dhe 25 ushtarë të qeverisë siriane.

Presidenti turk Tayyip Erdogan ka premtuar zgjerimin e operacionit dhe tha se Ankaraja do të fillojë një operacion tokësor në momentin kur ta gjykojë të dobishme.

“Armiku synon t’u shkaktojë dëme të mëdha forcave tona mbrojtëse, në veçanti ndaj komandantëve tanë dhe qendrave të komandës… Po përgatit kështu terrenin për një ofensivë tokësore”, u shpreh në një deklaratë SDF-ja.

Që nga viti 2016, Ankaraja ka zhvilluar tashmë tre operacione tokësore në Siri kundër milicive kurde.

Turqia filloi operacionet ajrore në kundërpërgjigje ndaj sulmit vdekjeprurës me bombë më 13 nëntor në Stamboll, për të cilin fajësoi YPG-në, që drejton Forcat Demokratike Siriane (SDF). Ankaraja e konsideron YPG si një zgjatim të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), të cilën e ka shpallur të jashtëligjshme.

Askush nuk mori përgjegjësinë për sulmin dhe PKK-ja dhe YPG-ja kanë mohuar të jenë përfshirë.

Dronët turq goditën objektet e naftës në orët e vona të së mërkurës pranë qytetit sirian Qamishli, si dhe në zonën e pasur naftëmbajtëse Rumeilan, në afërsi të së cilës janë vendosur edhe forcat amerikane, njoftuan tre burime në qytetet siriane Qamishli dhe Hasaka.

Turqia ka shtuar sulmet me dronë edhe në qendrat e zonave urbane, duke goditur zyrtarë të lartë ushtarakë të YPG-së, thanë burimet që mbajnë kontakte me zyrtarë të SDF-së.

Pentagoni tha se sulmet ajrore turke rrezikuan sigurinë e personelit ushtarak amerikan dhe se situata e përshkallëzuar ka vënë në rrezik vite progresi ndaj militantëve të Shtetit Islamik në këtë zonë.

Shtetet e Bashkuara kanë rreth 900 ushtarë në Siri, të cilët kryesisht bashkëpunojnë me SDF-në në verilindje.

I pyetur rreth komentit të Pentagonit, një burim i ministrisë turke të mbrojtjes tha se Ankaraja “përzgjedh objektivat me kujdes” dhe se ishte në kontakt të ngushtë me homologët amerikanë. Ky burim tha se fushat e naftës nuk ishin ndër objektivat e Ankarasë.

PKK-ja konsiderohet organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Mbështetja amerikane për SDF-në ka qenë prej vitesh një burim kryesor tensioni në marrëdhëniet me vendin aleat në NATO, Turqinë.

 

Show More

Related Articles

Back to top button