LajmeMaqedoni

Këtë vit pritet të blihet 12,5 për qind më shumë duhan se sa vitin e kaluar

Nga e hëna fillon blerja e duhanit nga korrja e vitit 2022. Sipas të dhënave të Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë, blerja e këtij viti fillon me numra pozitivë nga aspekti i sasisë së planifikuar të blerjes dhe çmimit blerës të duhanit, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Ai sot duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve në Kuvend, potencoi se dinamika për blerje është shumë më e madhe në krahasim me vitin e kaluar. Sipas Ligjit për duhan, produkte të duhanit dhe produkte të ngjashme, blerja e duhanit të prodhuar në këtë vit fillon në të gjitha pikat e blerjes të cilat janë regjistruar më së voni deri më 15 dhjetor në vitin vijues të prodhimit, ndërsa përfundon më së voni deri më 28 shkurt të vitit të ardhshëm, gjegjësisht më së voni deri 31 mars për tepricën e duhanit të prodhuar të sipërfaqeve të dakorduara për prodhimin e duhanit.

Këtë vit, siç tha kryeministri, blerje të duhanit do të bëjnë dhjetë kompani të cilat janë regjistruar në 200 qendra dhe pika për blerje përgjatë shtetit.

Kovaçevski shtoi se të dhënat tregojnë se këtë vit ka më shumë marrëveshje të lidhura për blerje të duhanit për dallim të vitit të kaluar. Sipas tij, për korrjen e vitit 2022 janë lidhur 29.653 marrëveshje që është për shtatë për qind më shumë se vitin e kaluar, kur ka pasur 27.712 marrëveshje, Ai theksoi se rritje ka edhe te sipërfaqja e dakorduar, ku ka rritje për 14,14 për qind.

Këtë vit, siç tha kryeministri, pritet të blihen 21.000 tonë duhan, që është për 12,5 për qind më shumë se vitin e kaluar, kur ishin blerë 18.660 tonë. Pritet duhan me cilësi më të mirë në krahasim me vitin e kaluar.

“Në lidhje me çmimin blerës, mund të them se çmimi mesatar i blerjes së duhanit është 252,8 denarë për një kilogram dhe është më i lartë për 26,12 për qind në krahasim me vitin 2021, kur ishte 200, 44 denarë për një kilogram”, tha Kovaçevski.

Show More

Related Articles

Back to top button