Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, kanë njoftuar se në çështjen gjyqësore “Thaçi dhe të tjerët”, palët ia kanë dorëzuar gjykatësit të procedurës paraprake, parashtrimet e tyre me shkrim.
Këto parashtrime kanë të bëjnë me pikat faktike për të cilat ata pajtohen.
“Gjykatësi i kishte urdhëruar t’i bënin parashtrimet në përputhje me rregulloren, sipas së cilës ai duhet të evidentojë pikat për të cilat prokuroria dhe mbrojtja pajtohen”, njoftojnë Dhomat e Specializuara.
“Kjo, për të përshpejtuar procesin duke shkurtuar listën e pikave të kontestuara”.
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sqarojnë se në të njëjtën çështje gjyqësore, më 18 nëntor, Prokurori i Specializuar, dorëzoi një listë paraprake me 40 dëshmitarët e parë që Prokuroria synon t’i thërrasë gjatë procesit gjyqësor.
“Dje, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi pjesërisht kërkesat e Thaçit dhe Selimit, për leje për apelimin e dy vendimeve të mëparshme të gjykatësit të procedurës paraprake, ku autorizonte prokurorin të ndryshonte listat e dëshmitarëve dhe të provave materiale”.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.