Kryeministri bullgar Kiril Petkov në një deklaratë për mediat ka theksuar se nuk ka njohuri për planin e Presidentit francez, Emanuel Makron, për heqjen e vetos bullgare për Maqedoninë e Veriut.
Petkovi ka thënë se nuk do të ndërmarrë asnjë hap drejt heqjes së vetos ndaj Shkupit, pa një vendim të parlamentit bullgar.
“Lidhur me planin e Francës nuk kam parë asgjë në letër, por, kuptohet, jemi të gatshëm dhe të hapur për bisedime me të gjithë partnerët evropian që kanë propozime, por sërish do ta them se ata duhet të pajtohen me pozitën e Bullgarisë dhe nëse ku pozicion vërtetohet, duhet të kalojë në Kuvendin Popullor” – deklaroi Petkov, kryeministri bullgar.
Nga ana tjetër, Presidenti bullgar Rumen Radev ka kërkuar që për heqjen e vetos për nisjen e negociatave Maqedoni e Veriut – BE të pyetet populli bullgar. Kjo është hera e parë që Radevi paralajmëron referendum për këtë cështje, kurse një kërkesë të këtillë kishte edhe partia e Krasimir Karakaçanovit VMRO-BND.