LajmeRajon

Protesta në Malin e Zi edhe kundër Open Balkan

Mijëra qytetarë në Mal të Zi kanë protestuar për herën e tretë brenda muajit. Këtë herë, krahas thirrjeve për zgjedhje të reja dhe tërheqjen e ligjit për presidentit, protestuesit i bënë thirrje Abazoviç që të heqë dorë nga dëshira për ta anëtarësuar vendin në Open Balkan. Në tubim u dëgjuan edhe thirrje kundër Vuçiç.

Për herën e tretë gjatë këtij muaji para Parlamentit të Malit të Zi u mbajt protesta me sloganin ‘Ne ekzistojmë’, ku morën pjesë mijëra qytetarë të cilët kërkojnë tërheqjen e Ligjit për Presidentin, zhbllokimin e Gjykatës Kushtetuese dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Protestuesit po ashtu i bënë thirrje kryeministrit në detyrë Dritan Abazoviç që të heqë dorë nga iniciativa për të hyrë në nismën Ballkani i Hapur.

Sipas tyre hyrja në Open Balkan është e papranueshme dhe se Mali i Zi duhet të hyjë në BE dhe jo në botën fantazmë serbe, siç e quajtën ata këtë nismë rajonale.

Në protestë u dëgjuan brohoritje kundër Abazoviç dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Protestuesit kënduan himnin kombëtar dhe mbanin flamujt e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara krahas atij malazez.

Pas fjalimeve para protestuesve, qytetarët parakaluan nëpër Podgoricë, dhe tubimi u përmbyll pa ndonjë incident.

Kjo është protesta e tretë e organizuar gjatë këtij muaji në Mal të Zi për shkak të krizës politike pas rrëzimit të qeverisë së Abazoviç në gusht të këtij viti.

Opozita, e udhëhequr nga partia e presidentit Millo Gjukanoviqit, kërkon shpërndarjen e Parlamentit dhe organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, por shumica parlamentare, e udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-rus, po kërkon që të formohet një qeveri e re që do të udhëhiqej nga Miodrad Llekiq, që ka mbështetjen e kësaj partie.

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese e vendit nuk ka kuorum për të marrë vendime.

Show More

Related Articles

Back to top button