Agjencia për menaxhimin e pasurisë së konfiskuar më 17 nëntor në buxhetin e Ministrisë së Financave ka transferuar 374.638.383 denarë ose 6,14 milionë euro.
Për herë të parë në historinë e saj, Agjencia e Konfiskimit transferon një shumë kaq të madhe parash në buxhet. Deri më tani, pasuria e konfiskuar përbëhej kryesisht nga makina që u shpërndaheshin më tej autoriteteve shtetërore, ose sekuestroheshin pasuri të paluajtshme me një procedurë të komplikuar të mëtejshme për shitje nga gjykata.
Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar, Faton Asani, tha për “Faktor” se këto para i janë marrë ish-drejtorit të policisë sekrete, Sasho Mijallkov dhe shteti do të vazhdojë t’i përdorë.
“Janë paratë e “thata” nga rastet me Sasho Mijallkovin dhe rezultati më i mirë deri më tani për agjencinë, jo vetëm që kur jam drejtor, por në përgjithësi që nga themelimi i saj. Mund të njoftoj vetëm se në periudhën në vijim do të ketë njoftime ku prona e sekuestruar do të shpallet në shitje pas vlerësimit paraprak të vlerës së saj nga Byroja e Ekspertizës Ligjore dhe se pres hyrje të reja të burimeve financiare”, përgjigjet Asani.