LajmeRajon

Partitë e ekstremit të djathtë në Serbi po e ‘mbajnë peng’ presidentin Aleksandar Vuçiq mbi Ukrainën

“Çdo hap drejt vendosjes së sanksioneve do ta dëmtojë vetëm Serbinë, jo Rusinë”, deklaron Andrej Mitiq, sekretar ndërkombëtar i partisë së ekstremit të djathtë Dveri, teksa shijon një gotë limonadë në hollin mbretëror të Hotel Moskva të Beogradit.

“Për këtë arsye ne i shohim këto politika aktuale anti-ruse si politika anti-serbe… Ne shohim rreziqe të mëdha për interesat dhe vlerat e popullit [serb]”, thotë ai.

Ndërsa, presidenti serb Aleksandar Vuçiq përballet me presionin ndërkombëtar për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë mbi pushtimin e saj të Ukrainës më 24 shkurt, politikanët nga e djathta ekstreme e Serbisë – politikanë si Mitiq – janë ata që janë më të zëshmit duke i bërë thirrje qeverisë që t’i injorojë kërkesat e BE-së dhe ta mbështesë Rusinë.

Deri më tani, Vuçiq, i cili u betua për një mandat të dytë presidencial më 31 maj, ka ndjekur linjën dhe ka refuzuar t’iu bashkohet sanksioneve të BE-së, të cilat kanë shënjestruar sektorin energjetik dhe atë financiar të Rusisë, si dhe individë të profilit të lartë. Interesat kombëtare të Serbisë, ka argumentuar presidenti serb, varen nga ruajtja e marrëdhënieve miqësore me të gjithë partnerët e saj ndërkombëtarë, jo vetëm me Brukselin.

Brenda BE-së, Vuçiq është përballur me kritika nga politikanë dhe diplomatë. Carl Bildt, i cili shërbeu si i dërguar i Posaçëm i BE-së në ish-Jugosllavi në vitet 1990, tha se pozicioni i Serbisë ndaj pushtimit rus duhet ta diskualifikojë atë nga procesi i pranimit në BE.

Dhe më 21 mars, ministri i Jashtëm lituanez, Gabrielius Landsbergis bëri thirrje që vendet që bëjnë tregti me Rusinë të përballen me ndëshkime.

Edhe pse Vuçiq fitoi bindshëm në zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe komunale të 3 prillit, dy parti ultranacionaliste hynë në Parlamentin e Serbisë, një zhvendosje për të cilën Vuçiq fajësoi pasojat e pushtimit rus të Ukrainës.

Një parti relativisht e re në skenën politike të Serbisë, Dveri shërbeu për një mandat të vetëm parlamentar midis 2016-2020 dhe u rikthye në asamblenë kombëtare në prill, së bashku me një parti tjetër ultranacionaliste, Zavetnici (të Përbetuarit), të cilët po hynin për herë të parë në Parlament.

“Dveri mbështet pozicionin aktual politik të Rusisë dhe beson se Rusia është detyruar të përgjigjet pasi u rrethua nga NATO”, thotë Mitiq, me zërin e tij të butë dhe me mirësjellje, në kundërshtim me retorikën e tij populiste dhe pikëpamjet euroskpetike.

Për Serbinë nuk është një vendim i lehtë gjeopolitik. BE-ja është bamirësi kryesor ekonomik dhe partneri tregtar për vendin, por Beogradi është plotësisht i varur nga importet e energjisë ruse dhe nga mbështetja gjeopolitike e Moskës për të bllokuar njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Show More

Related Articles

Back to top button