Ndryshe nga pjesa tjetër e opozitës, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, festoi Ditën e Çlirimit më 29 nëntor. Pasi kreu homazhe dhe vendosi kurora me lule bashkë me anëtarë të tjerë të partisë së tij, Meta rikonfirmoi edhe një herë pjesëmarrjen në protestën e 6 dhjetorit në Tiranë, ditën kur do të mbahet edhe Samiti i Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Më 6 dhjetor ne do të jemi të gjithë për të brohoritur edhe një herë tjetër se do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa, një vend të lirë, ku do t’i jepet fund kapjes së shtetit dhe instalimit të mafies në pushtet dhe një vend ku askush të mos e frenojë më aspiratën për integrimin në BE. Ne i jemi shumë mirënjohës Bashkimit Europian që pavarësisht mungesës së plotë të përkushtimit nga ana e qeverisë, për shkak edhe të zhvillimeve më të fundit, mori një vendim për përshpejtimin e integrimit europian të BE-së. Kjo kërkon angazhim të të gjithë forcave të brendshme për të përshpejtuar reformat”, tha Meta.
I pyetur nga A2 CNN se ku do të zhvillohet protesta, për shkak se Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është zonë e vendosur brenda perimetrit të sigurisë së organizimit të samitit, Meta tha: “Siguria në Shqipëri është gjithmonë nën kërcënimin e mafies në pushtet dhe kurrsesi e qytetarëve të lirë të saj. Së dyti nuk është njoftuar protestë për kryetarin e bashkisë, por një manifestim proeuropian që e gjithë Shqipëria dëshiron të japë një mesazh mirënjohjeje për vendimin me rëndësi edhe gjeopolitike të BE-së, për të nxitur Shqipërinë dhe vendet e tjera që të ecin në rrugën e integrimit europian. Dhe në Shqipëri nuk ka asgjë dhe s’duhet të ketë asgjë më të rëndësishme se Kushtetuta dhe mbi Kushtetuta është vetëm populli sovran dhe i lirë”.
Policia e Shtetit i ka kthyer një përgjigje negative Partisë Demokratike në lidhje me kërkesën e saj për organizimin e protestës së saj në 6 dhjetor. Në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit bën me dije se për shkak të samitit dhe rregullave të sigurisë që duhet të zbatohen për të, ku do të bllokohen dhe shumë akse rrugore, nuk mund të japë leje për një organizim të tillë, siç ka kërkuara dhe opozita.