“Ne e përshëndesim Antonio Rudiger teksa largohet nga ‘Stamford Bridge’ me skadimin e kontratës së tij te Chelsea, duke përfunduar pesë vitet e tij të mbushura me trofe me klubin”. Kështu hapet mesazhi i gjatë e përshëndetjes nga blutë e Londrës për mbrojtësin gjerman, i cili largohet nga Premier League pas pesë sezonesh intensive dhe fituese.
Që kur mbërriti në Angli, ish-mbrojtësi i Romës ka kontribuar në suksesin e ish-klubit të Abramovic në fitimin e Ligës së Kampionëve 2020-2021, Ligës së Evropës 2018-2019, “FA Cup” 2017-2018, Superkupën e Europës dhe Botërorin për Klube në vitin 2021.
Kështu, 29-vjeçari nga Berlini “martohet” zyrtarisht me Real Madridin, i cili i siguron shërbimet e një top-mbrojtësi falas. Pas një përshkrimi të gjatë të karrierës së mbrojtësit në Londër, shënimi i Chelsea saktëson:
“Rudiger bëri 54 paraqitje në të gjitha garat në sezonin e tij të fundit, të gjitha që nga fillimi, më shumë se çdo lojtar tjetër i Chelsea. Antonio largohet me 203 ndeshje dhe 12 gola nën emrin e tij. Klubi i futbollit Chelsea dëshiron ta falënderojë për kontributin e tij në suksesin blu gjatë pesë viteve të fundit dhe t’i uroj suksese në karrierën e ardhshme”.
Real Madridi zyrtarizoi edhe rezultatin e negociatave me mbrojtësin gjerman, me një deklaratë zyrtare në rrjetet sociale dhe faqen zyrtare: “Antonio Rüdiger (Berlin, 03/03/1993) është lojtar i Real Madridit. Skuadra jonë është përforcuar me një nga mbrojtësit më të mirë në botë, duke spikatur me kombëtaren gjermane dhe Chelsea.
Në dy sezonet e fundit ai është përfshirë në ekipin ideal të Champions League. Fizikisht shumë i fuqishëm (1.90 m), Rüdiger është një futbollist me përvojë në ligat angleze, gjermane dhe italiane. Sezonin e fundit ka thyer rekordin e ndeshjeve të luajtura dhe golave të shënuar”.