LajmeMaqedoniRajon

Xhaferi në Athinë: Krahas të gjithë punës së bërë, Maqedonia e Veriut ende pret nisjen e negociatave me BE-në

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, në paraqitjen e tij në sesionin e nëntë plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, tha se edhe krahas të gjithë punës së bërë në vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe respektimin e parimeve themelore të të drejtës ndërkombëtare, Maqedonia e Veriut ende nuk ka marrë datë për negociatat me BE-në.

Xhaferi foli për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, si dhe rëndësinë e diplomacisë parlamentare dhe rolin e parlamenteve me bashkëpunim të ndërsjellë, rajonal, ndërparlamentar në drejtim të arritjes së qëndrueshmërisë së fuqishme, progres dhe mirëqenie në Evropën Juglindore.

“Duhet me keqardhje të kujtoj se Republika e Maqedonisë së Veriut, edhe krahas të gjithë punës së bërë në vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe respektimin e parimeve të të drejtës dhe progresit ndërkombëtar – siç është përcaktuar në Konventën e Kombeve të Bashkuara, ende është në pritje të konferencës së parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian. Atë që e presim nga kjo Asamble Parlamentare është që të vazhdojë të japë mbështetje në përputhje me të drejtën dhe vlerat e Bashkimit Evropian, në të cilat edhe bazohet. Sepse, vetëm bashkë, solidarisht dhe në nivel të njëjtë do të mund të përballemi me të gjitha sfidat të cilat i shkaktojnë efektet të cilat ndryshimet klimatike i sjellin në sferat e ndryshme të jetës, në mesin e të cilave paraprijnë edhe siguria e furnizimit me energji dhe zinxhiri bujqësor-ushqimor”, theksoi Xhaferi.

Shtoi se trendet globale, rajonale dhe nacionale të cilat paraqiten, ndikojnë edhe ndaj zhvillimit të vendit tonë, duke potencuar se edhe pse nuk dëshiron të tingëllojë pesimist, megjithatë, “parashikimet janë se kriza energjetike dhe ushqimore nuk do të ulen, por përkundrazi, do të rriten”.

“Ne duhet të jemi të gatshëm bashkërisht, në mënyrë të koordinuar dhe me sa më pak dëme t’i tejkalojmë ato sfida. Për këtë, sinergjia që vendoset në këtë forum dhe në të gjitha forumet e tjera ndërkombëtare është me rëndësi thelbësore për zhvillim dhe mirëqenie të shteteve dhe qytetarëve tanë”, potencoi Xhaferi.

Ai theksoi se personalisht është ithtar i madh i diplomacisë parlamentare.

Ndryshe, Asambleja Parlamentare mbahet në Athinë në kuadër të kryesimit grek me procesin, ndërsa merr pjesë edhe një delegacion nga Kuvendi i RMV-së./Telegrafi/

Show More

Related Articles

Back to top button