Kosova u trondit nga një vrasje makabre që ndodhi të mërkurën e 30 nëntorit, në oborrin e QKUK-së.
Një burrë dyshohet se vrau ish-gruan e tij shtatzënë, e cila ishte në ditët e fundit të lindjes. 35-vjeçarja me inicialet H.M nga Lipjani u vra para Klinikës së Gjinekologjisë.
I dyshuari për këtë vrasje makabre është Sokol Halili nga Shtimja. Në rrjetet sociale janë publikuar fotografitë e tij.
Familjarët e të ndjerës kanë treguar se viktima dhe dorasi kanë qenë të ndarë që pesë muaj.
Motra e viktimës tha se autoritetet kanë qenë të njoftuara për shkurorëzimin e 35-vjeçares dhe problemet me ish-bashkëshortin.
Dorasi dhe viktima
Ajo tha se familjarët e burrit i cili dyshohet se e ka vrarë gruan e tij, e kanë lutur motrën e saj të kthehet në shtëpi.
Nazlie Bala nga Ministria e Drejtësisë, ka thënë se gruaja shtatzënë e cila u vra këtë të mërkurë, kishte kërkuar ndihmë edhe më parë në institucione përkatëse.
Balaj ka thënë se gruaja shtatzënë e cila u vra të mërkurën mbrëma nga bashkëshorti me të cilin ishte në proces të ndarjes, ka pasur urdhër-mbrojtje nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
“Sipas informacioneve që i kemi e ndjera ka pasur urdhër-mbrojtje nga Gjykata Themelore në Ferizaj”, ka thënë ajo.
Kjo është vrasja e dytë e grave në një javë në Kosovë. Më 25 nëntor një burrë vrau gruan e tij në Prishtinë.
Të dyja vrasjet ndodhën ndërsa në Kosovë po mbahet një fushatë 16 ditëshe kundër dhunës ndaj gruas me moton “as edhe një më shumë”.
Pas ngjarjes së rëndë që tronditi jo vetëm Kosovën por edhe më gjerë, kanë reaguar një sërë autoritetesh dhe zyrtarësh.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe avokati nga Kosova Besnik Berisha.
Në llogarinë e tij në Facebook, Berisha ka thënë se kjo ditë do të shënojë dënimin e parë në Kosovë me burgim të përjetshëm.
Sipas Berishës, ky dënim mund të mos ekzekutohet vetëm nëse dorasi i jep aktgjykimin vetes akoma pa u dënuar nga gjykata.
“Kjo që ndodhi sonte në oborrin e SHSKUK , ku në rrethana akoma të panjohura ish bashkëshorti privoi nga jeta gruan shtatzënë dhe u zhduk akoma pa gjurme, do shënoi dënimin e parë në Kosovë me burgim të përjetshëm (të konfirmuar në secilën instancë). Ky dënim mund të mos ekzekutohet vetëm nëse dorasi i jep aktgjykimin vetes akoma pa u dënu nga gjykata. Kështu mendoj unë”, shkroi Berisha.
Rastet e dhunës në familje në Kosovë janë rritur në vitet e fundit.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2020 në Kosovë janë evidentuar 2.069 raste të dhunës në familje; në vitin 2021 janë evidentuar 2.456 raste.
Kurse, gjatë periudhës janar-shtator 2022, janë regjistruar 2.067 raste të dhunës në familje.