Kombet e Bashkuara (OKB) paralajmëruan se 6 milionë njerëz në Afganistan po përballen me pasiguri ushqimore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zv/përfaqësuesi i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Afganistanin, Ramiz Alakbarov, theksoi se në stinën e dimrit temperatura në disa rajone të Afganistanit ulet deri në minus 25 gradë.
“Kemi nevojë për 768 milionë dollarë për të mbështetur punimet e përgatitjes për dimër dhe para se të përfundojë viti kemi nevojë për 614 milionë dollarë. Përgjatë vitit kemi luftuar për këto fonde”, tha Alakbarov.
Ai po ashtu theksoi se 6 milionë njerëz ndodhen përballë pasigurisë ushqimore në nivelin e një situate urgjente dhe shtoi se kjo shifër përfaqëson një nivel të lartë në çështjen e pasigurisë ushqimore.
Sipas OKB-së, dy të tretat apo mbi 28 milionë persona e popullatës së Afganistanit do të jenë në nevojë për ndihmë humanitare në vitin 2023.
Me ndërprerjen e ndihmës financiare ndërkombëtare pasi talebanët erdhën në pushtet në Afganistan më 15 gusht të vitit 2021, ekonomia e vendit mori goditje të rëndë, ndërkohë gratë dhe vajzat u privuan nga shumë të drejta, përfshirë arsimin. Në këtë proces mijëra gra humbën vendet e punës në institucionet shtetërore dhe në sektorin privat.