LajmeMaqedoni

Ndërpritet tatimi progresiv dhe nuk ka rritje taksash

Ndërpritet tatimi progresiv i të ardhurave personale që duhej të fillojë nga 1 janari dhe nuk parashikohen taksa të reja, as rritje të atyre ekzistuese, tha dje kryeministri Dimitar Kovaçevski pas seancës qeveritare në të cilën ishte miratuar koncept i ri i reformës tatimore.

Me konceptin e ri, tatimi i të ardhurave personave mbetet 10 për qind, tatimi i fitimit mbetet 10 për qind, tatimi i vlerës së shtuar mbetet 18 për qind dhe nuk do të tatimohen as interesi i depozitave dhe depozitat e kursimeve.

“Ky koncept i ri nënkupton rishikimin e përjashtimeve tatimore, zgjerimin e bazës tatimore dhe përfundimisht shtypjen e ekonomisë joformale. Me këtë, rezultati i konceptit të ri do të jetë ritme të qëndrueshme dhe më të larta të rritjes ekonomike, por edhe menaxhim transparent i financave publike, që është kusht veçanërisht i rëndësishëm në këtë krizë më të madhe ekonomike”, tha Kovaçevski në konferencën për media pas seancës së Qeverisë.

Honorarët, nëse dëshirojnë, në bazë vullnetare, do të mund të rregullojnë në mënyrë të pavarur kontributet për sigurim pensional dhe shëndetësor, pra me vullnetin e tyre të lirë. Duke marrë parasysh natyrën e punës së tyre ku nuk ka dinamikë të vazhdueshme angazhimesh dhe fitimesh, ajo që propozohet është krijimi i një platforme digjitale ku mund të regjistrohen dhe të zgjedhin nga disa opsione me të cilat do të kishin sigurime shëndetësore dhe pensionale.

“Kjo zgjidhje do të zbatohej më tej, nëpërmjet një ligji të posaçëm për sigurimet sociale në baza vullnetare, i cili do të zbatohej nga data 01.01.2024, pas zhvillimit dhe zbatimit të platformës për regjistrimin e të ashtuquajturve frilenserë”, tha Kovaçevski.

Një nga risitë është se norma e TVSH-së do të ulet nga 18 në 5 për qind për produktet e higjienës menstruale, gjë që mundëson disponueshmëri më të madhe të këtyre produkteve për të gjitha gratë dhe vajzat pavarësisht gjendjes ekonomike dhe fuqisë blerëse të tyre.

Reforma tatimore, siç theksoi Kovaçevski, është pjesë e Strategjisë për reformën e sistemit tatimor (2021-2025) në të cilën përcaktohen objektivat kryesore të reformës tatimore, të përcaktuara në pesë prioritete.

“Vizioni ynë është të krijojmë një sistem tatimor të drejtë, efikas, modern, i cili do të luajë një rol në ruajtjen e bazave të shëndetshme makroekonomike, të mbështesë zhvillimin ekonomik, të ofrojë mbështetje në proceset e dobishme shoqërore dhe madje të ketë një rol korrigjues, si në rastin e taksave të gjelbërta”, nënvizoi Kovaçevski, duke shtuar se koncepti është bërë përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe në të janë inkorporuar disa nga sugjerimet e dala nga debatet publike të organizuara nga Ministria e Financave.

Nëpërmjet zgjidhjeve ligjore do të zgjerohet baza tatimore dhe do të synohen disa nga përjashtimet dhe lehtësimet tatimore në sistemin ekzistues.

Sipas ministrit të Financave, Fatmir Besimi, lehtësimet tatimore do të rishikohen sepse analizat kanë treguar se disa nga këto lehtësime ia kanë arritur qëllimit dhe aktualisht po korrigjojnë tregun.

“Qëllimi kryesor është sigurimi i një sistemi tatimor të drejtë, transparent dhe modern”, tha Besimi, duke shprehur bindjen se koncepti që po promovojnë është shumë më i mirë se draft versioni fillestar sepse ka kaluar në një proces gjithëpërfshirës me të gjitha palët e interesuara.

Gjobat për keqpërdorimin e tatimit mbi fitimin do të përcaktohen me ligj, por propozimi, siç bëri me dije Besimi, është pesëfishimi i tyre.

“Nëse dikush e keqpërdor atë të drejtë ligjore për lirim nga tatimi me qëllim të evazionit, nëse konstatohet një shkelje e tillë, gjobat do të pesëfishohen”, tha Besimi.

Draft koncepti i reformës tatimore në periudhën e fundit kaloi nëpër debate publike të organizuara nga Ministria e Financave me grupet e interesit.

Show More

Related Articles

Back to top button