LajmeMaqedoni

VMRO paralajmëron interpelancë për Spasovskën

Ministria e Punëve të Brendshme mohon të ketë pasur sulm apo kërcënime ndaj policëve në Haraçinë, pas raportimeve të djeshme të një pjese të mediave se një grup banorësh të armatosur kanë dëbuar policët nga vendi, pasi paraprakisht kanë ndaluar një automjet. Ministria e Brendshme thotë se bëhet fjalë për “dezinformim të plotë”. Duke hetuar ngjarjet dhe shkrimet, kontrolli i brendshëm në MPB konstatoi se policët nuk e kanë kryer detyrën.

“Nga kontrollet e kryera u konstatua se më datë 30.11.2022, tre punonjës të policisë kanë ndaluar një automjet tipi “Volkswagen”, i drejtuar nga një i mitur, por nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme zyrtare, për të cilën janë ngritur iniciativa për procedim disiplinor dhe në bisedat zyrtare të kryera tre punonjësit e policisë mohojnë se dikush i ka kërcënuar apo ushtruar presion ndaj tyre. Prandaj apelojmë para se të kontrollohen faktet të mos publikohen dezinformata që shqetësojnë qytetarët”, thonë nga MPB-ja.

Ndërkohë, opozita paralajmëron interpelancë të mundshme për ministrin e Brendshëm, Oliver Spasovski. Sipas kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, policët në Haraçinë shumë lehtë mund të jenë edhe viktima të një bande kriminale, e cila, siç thotë ai, bashkëpunon me kreun e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Mickoski thotë se do të presë MPB-në, të publikojë detaje për grupin e armatosur, nëse kjo nuk ndodh, partia do t’i publikojë.

“Ne e dimë saktësisht se cili është grupi. Ne e dimë saktësisht se cilat automjete i ngasin, ne e dimë saktësisht se ku jetojnë, ne e dimë saktësisht se çfarë bëjnë ata njerëz dhe me cilët zyrtarë policorë janë në linjë. Pse nuk i publikojnë? Pse nuk i arrestojnë?”, tha Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Ndryshe, pas shkrimeve se policët janë dëbuar shpesh nga Haraçina, MPB-ja njoftoi se mëngjesin e sotëm kanë kryer aksion policor në Haraçinë, me ç’rast kanë privuar nga liria një person me urdhërarrest qendror. Personi ishte në kërkim për vuajtje të dënimit me burg, për shkak të tregtisë ilegale me armë./Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button