LajmeMaqedoni

Ministri i Jashtëm mbështetet në BE dhe SHBA në luftën kundër korrupsionit

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, bëri të ditur se vitet në vijim janë vite të çrrënjosjes së korrupsionit, duke komentuar deklaratën e ambasadores amerikane në vend, Anxhela Ageler, e cila tha se korrupsioni po e mban vendin prapa. Sipas Osmanit, që nga ky vit, partnerët ndërkombëtarë kanë përdorur dy instrumente për monitorimin e korrupsionit në Maqedoni – Bashkimin Evropian përmes procesit të skriningut dhe SHBA përmes Dialogut Strategjik që filloi në qershor. Shefi i diplomacisë thotë se Shtetet e Bashkuara kanë në dispozicion disa mekanizma që mund të na ndihmojnë në betejën kundër korrupsionit.

“Pavarësisht nëse janë mekanizmat e listës së zezë, siç ndodhi në rajon apo emërime të tjera publike apo mënyra të tjera mbështetjeje… Ne sapo filluam Dialogun Strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës shtuan mbi katër milionë euro pikërisht në politikat kundër korrupsionit”, tha Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Sipas tij, vendi ka problem me korrupsionin në të gjitha nivelet e mundshme dhe politika kundër korrupsionit do të jetë dominuese në periudhën e ardhshme. Osmani thotë se shteti tani mund të ndërtohet si vend i vërtetë demokratik me fokus parësor në luftën kundër korrupsionit, sepse paraprakisht është dashur t’i kushtohet vëmendje tensioneve ndëretnike, integrimeve euroatlantike dhe sfidave tjera.

“Pse në deklaratat e partnerëve tanë flitet vetëm për këtë? Sepse nuk ka çështje të tjera për të folur dhe prandaj them se duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi, të gjitha forcat që kemi, tashmë të liruar nga sfidat e tjera, të përqendrohemi në pastrimin e vendit nga korrupsioni”, shtoi ai.

Ambasadorja Axheler, e cila ka vetëm një muaj që është ambasadore e Amerikës në vend, tashmë disa herë e ka theksuar problemin e korrupsionit. Por më herët ky problem është theksuar vazhdimisht nga qytetarët dhe është vënë re edhe në raportet europiane dhe nga organizatat ndërkombëtare që matin shkallën e korrupsionit./Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button