BotaLajme

Nuk ka plan për baza ushtarake, Kina shpalos 4 angazhimet në rajonin e Paqësorit

“Angazhim në katër drejtime” me vendet e rajonit të Paqësorit

“Bashkëpunimi në fushën e sigurisë ndërmjet Kinës dhe Ishujve Solomon nuk ka si objektiv ndonjë palë të tretë dhe nuk synon ndërtimin e ndonjë baze ushtarake,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Ministrisë së punëve të jashtme të Kinës, Zhao Lijian në një konferencë shtypi.

Mbi çështjet që kanë lidhjen me Tajvanin, Xinjiang-un dhe Hong-Kongun, zëdhënësi theksoi se këto janë “punë të brendshme të Kinës” dhe Kina nuk do të lejojë ndërhyrjen e vendeve dhe forcave të huaja.

Zëdhësi foli edhe për vizitën që Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi po bën në rajonin e Paqësorit, gjatë së cilës ka propozuar “angazhimin në katër drejtime” për të zhvilluar marrëdhëniet me vendet e rajonit.

Gjatë takimit me medien në Honiara të Ishujve Solomon, Wang bëri thirrje për trajtimin e barabartë të njëri-tjetrit, ruajtjen e respektit të ndërsjellë, arritjen e bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta, si dhe hapjen e përfshirjen.

Gjatë takimit të mërkurën me presidentin e Vanuatuas Tallis Obed Moses në kryeqytetin e këtij vendi, Port-Vila, kryediplomati kinez tha se, ndryshe nga disa vende të tjera të mëdha, Kina i përmbahet gjithmonë parimit të barazisë sovrane në diplomaci dhe i trajton të gjitha vendet në zhvillim, sidomos vendet e mesme dhe të vogla, në mënyrë të sinqertë e të barabartë.

Vanuatuja është ndalesa e gjashtë e vizitës 10-ditore të ministrit të Jashtëm kinez në rajonin e Paqësorit, pas Ishujve Solomon, Kiribatit, Samoas, Fixhit dhe Tongës.

Wang tha se Kina përkrah me vendosmëri të drejtat dhe interesat e ligjshme të vendeve në zhvillim në nivel ndërkombëtar e rajonal, sidomos në sistemin e OKB-së.

Po atë ditë, ministri kinez zhvilloi gjithashtu një takim të përbashkët me kryeministrin e Vanuatus Bob Loughman dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Ata arritën një konsensus prej pesë pikash për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe dhe për të nxitur bashkëpunimin në çështjet ndërkombëtare dhe rajonale. Të dy palët ranë në një mendje të forcojnë më tej besimin e ndërsjellë politik, bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta e miqësinë ndërmjet të dy popujve, dhe të thellojnë bashkërendimin strategjik dhe të nxisin bashkëpunimin rajonal.

Po ashtu, ata pranuan ndërlidhjen e strategjive të zhvillimit të të dy vendeve, të shfrytëzojnë potencialin e bashkëpunimit, të nxitin bashkërisht ndërtimin me cilësi të lartë të nismës “Një brez, një rrugë”, si dhe të zgjerojnë eksportimin e mallrave cilësore të Vanuatus në Kinë.

Të dy vendet do të zhvillojnë partneritet lidhur me ekonominë blu dhe bashkëpunim të mëtejshëm në fusha si energjia e re dhe ekonomia digjitale, duke thelluar bashkëpunimin në fusha tradicionale si infrastruktura.

Show More

Related Articles

Back to top button