Të paktën tre persona janë vrarë nga shpërthimet në dy baza ajrore ushtarake në Rusi, sipas raportimeve.
Agjencia e lajmeve RIA Novosti raportoi se tre persona janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur pasi një cisternë karburanti shpërtheu në një aeroport rus pranë qytetit Ryazan, në juglindje të Moskës, shkruan Sky News.
Ndërsa në një bazë ajrore në qytetin Engels në rajonin rus të Saratov, thuhet se ka ndodhur një tjetër shpërthim.
Megjithatë, Sky News thotë se nuk është në gjendje të verifikojë këto raporte.
Ndërkohë Anton Gerashchenko, një këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Ukrainës, postoi një video duke pretenduar se ilustron momentin kur një dron dëmtoi dy aeroplanë Tu-95 në Engels.
Baza ajrore Engels strehon bombarduesit strategjikë Tu-95 dhe Tu-160 që kanë qenë të përfshirë në nisjen e sulmeve në Ukrainë. Ata bombardues janë të aftë të mbajnë armë bërthamore.
Dhe pamjet video duket se tregojnë shpërthimin nga një kompleks apartamentesh rreth 6 km nga baza ajrore.
Guvernatori rajonal i Saratovit, Roman Busargin tha se nuk kishte dëmtime në objektet civile dhe shtoi se autoritetet po kontrollojnë nëse ka pasur ndonjë incident në objektet ushtarake.
Agjencia ruse e lajmeve TASS raportoi se Vladimir Putin është informuar për raportet e incidenteve në rajonet e Saratovit dhe Ryazanit, duke cituar zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov.