LajmeMaqedoni

Zgjërimi i koalicionit Qeverisës, nuk ka detaje të reja

Më shumë se dy javë pas takimit mes kryeministrit, Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, palët ende nuk kanë konkretizuar për opinionin se, cili është plani i ofruar për hyrjen e partisë opozitare në Qeveri. Dy partnerët më të mëdhenj të koalicionit, Kovaçevski dhe Ali Ahmeti kanë konfirmuar në paraqitjet e mëhershme se po zhvillohen negociatat në këtë drejtim, por nuk kanë shpalosur se çfarë përmbajnë negociatat. I pyetur sot se, deri ku janë negociatat me Aleancën për Shqiptarët për hyrje në Qeveri, Kovaçevski sërish nuk ka dhënë detaje, duke u përgjigjur shkurt se nuk ka pasur ndonjë takim tjetër në ndërkohë.

”Me zotërinë Taravari nuk jemi takuar pas takimit tonë që e kemi pasur. Sa po të kemi takim, nëse do të kemi atëherë, unë i paralajmëroj çdoherë takimet e mia, e di se herën e kaluar kur Taravari ishte te unë, dha deklaratë edhe para edhe pas takimit. Të njëjtën e kam bërë edhe unë” – tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.

E për dallim nga liderët e LSDM-së dhe BDI-së, kreu i ASH-së, Arben Taravari ka mohuar se zhvillohen negociata për hyrje në Qeveri. Ditë më parë ai, madje i ka quajtur informatat që kanë qarkulluar në media, rreth emrave që përfliten se do të drejtojnë ministri të caktuara, me hyrjen e ASH-së në qeveri.

Ndërkohë, procedura për ndryshimet kushtetuese duhet të fillojë në fillim të vitit të ardhshëm, sipas paralajmërimeve të kryeparlamentarit Talat Xhaferi, që të respektohet periudha e miratimit të këtyre ndryshimeve. Procedura duhet të përfundojë deri në fund të skriningut, i cili është planifikuar për nëntor të vitit 2023. Për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, Qeverisë do t’i nevojiten shumicë prej 2/3, që momentalisht qeveria nuk e ka. /KlanMacedonia/

Show More

Related Articles

Back to top button