Në mesin e qytetarëve të vendit dominon mendimi se partitë politike dhe mediat më së shumti përhapin dezinformata. Një pjesë e madhe e tyre mendojnë se mund të njohin dezinformata, por e pranojnë se ndonjëherë u ndodhë vetë të ndajnë informacion të rrejshëm. Qytetarët kryesisht informohen përmes televizionit, Fejsbukut dhe ueb-faqeve, por shumë pak u besojnë mediave.
Këtë e tregojnë rezultatet e hulumtimit të opinionit publik për aftësinë e qytetarëve për të njohur dhe për t’u përballur me dezinformata, që Instituti për Studime Komunikuese (ISK) e ka realizuar gjatë tetorit si pjesë e projektit “Përdor fakte”.
Qytetarët vlerësojnë se partitë politike më së shumti përhapin dezinformata në vend, ndërsa në vend të dytë janë mediat, tregon hulumtimi i mendimit publik. Sipas perceptimit të të anketuarve, një pjesë më e vogël e tyre janë përgjigjur se institucionet shtetërore më së shumti përhapin dezinformata, ndërsa 13 për qind janë përgjigjur se partitë politike, mediat dhe institucionet shtetërore në mënyrë të barabartë përhapin informacione të rrejshme.
Qëndrimi se partitë politike më së shumti përhapin dezinformata dominon tek më shumë se gjysma e popullatës mbi 55-vjeç. Nga ana tjetër, përgjigje më e zakonshme tek të rinjtë është se atë e bëjnë mediat, edhe pse shpesh përmenden edhe partitë politike.
Konkluzionet kryesore të anketës, thonë nga ISK, tregojnë për atë se një pjesë më e madhe e qytetarëve më shumë herë në ditë informohen për ngjarjet në botë. Pyetjes “Cilat tema ju interesojnë?” një pjesë më e madhe e të anketuarve i kanë zgjedhur ekonominë dhe politikën, pas çka pasojnë sporti, muzika dhe argëtimi, ndërsa në fund janë klima dhe mjedisi jetësor. Popullatën më të rritur në moshë më shumë e intereson politika, ndërsa të rinjtë janë më të interesuar për muzikë.
“Si burim i informimit zakonisht shfrytëzohet televizioni, ndërsa në vendin e dytë dhe të tretë janë Fejsbuku dhe ueb faqet. Qytetarët e moshës prej 18 deri 44-vjeç më së shumti informohen përmes Fejsbukut, ndërsa televizioni më i njohur është tek grupi i qytetarëve prej 45 deri 64 vjeç dhe mbi 65- vjeç. Sa i takon besimit në media, më shumë se gjysma e të anketuarve kanë deklaruar se dyshojnë të gjitha lajmet që i lexojnë. Thuajse një e treta e verifikojnë se si është transmetuar lajmi në mediat e tjera, ndërsa vetëm 4 për qind e qytetarëve kanë besim të plotë në mediat dhe në lajmet që i lexojnë”, potencojnë nga ISK.
Më shumë se gjysma e qytetarëve mendojnë se ndonjëherë mund të njohin dezinformata dhe vlerësojnë se ndonjëherë u ndodhë edhe vetë të ndajnë informacione të pasakta. Parë sipas gjinisë, burrat janë më të sigurt se gjithmonë mund të njohin dezinformata në raport me gratë.
Sa i përket shpërndarjes së dezinformatave, një e treta e qytetarëve janë përgjigjur se aspak nuk u ka ndodhur të ndajnë të tilla, pjesa më e vogël vlerësojnë se kjo u ndodh shpesh, ndërsa shumica konsiderojnë se ndonjëherë u ndodh të ndajnë lajme të pavërteta.
Qytetarët zakonisht ndjehen të shqetësuar në rastet kur e shohin se kanë lexuar ndonjë dezinformatë. Për 30 për qind të të anketuarve nuk ka rëndësi, ndërsa 10 për qind janë përgjigjur se janë shumë të zemëruar ose se qeshin në raste të tilla. Ndenja e shqetësimit dhe zemërimit është më e përfaqësuar tek moshat më të rritura të qytetarëve.
Që atje shtojnë se qytetarët janë të ndarë edhe lidhur me qëndrimet e tyre për konspiracionet lidhur me Bashkimin Evropian. Kështu. dallimi midis atyre që pajtohen se BE-ja i ka shpikur vaksinat gjatë koronavirusit si mekanizëm për kontrollin e qytetarëve dhe ata që nuk pajtohen me këtë është e parëndësishme. Parë sipas moshës, shumica e qytetarëve të moshës 25-34 vjeç (52 për qind) janë përgjigjur se nuk pajtohen me deklaratën, ndërsa në grupmoshat e tjera nuk janë dallimet e mëdha midis atyre që pajtohen dhe që nuk pajtohen me lajmin.
Rezultatet e anketës tregojnë se në Maqedoni ende duhet të punohet në rritjen e aftësisë së popullatës për njohjen e dezinformatave dhe burimeve të tyre, por edhe në forcimin e profesionalizmit të mediave, që do ta kthente besimin e popullatës. Rikthimi i besimit është i nevojshëm edhe mes partive politike. Është e qartë se politikanët duhet të jenë të parët që do të përveshin mëngët, pra të marrin përgjegjësinë dhe të përmbahen nga përhapja e lajmeve të rreme për qëllime politike ditore.
Hulumtimi është kryer përmes një anketimi telefonik në një ekzemplar prej 1010 qytetarësh të rritur në tetor të vitit 2022, me qëllim të përcaktimit të vetëdijes së qytetarëve për kërcënimet nga dezinformatat dhe burimet e tyre, për të përcaktuar njohuritë dhe aftësitë për njohjen e dezinformatave, si dhe sjelljen e qytetarëve në lidhje me dezinformatat.