LajmeRajon

Raportohet për shpërthime në veri të Kosovës

Dy shpërthime u dëgjuan pasditen e së martës në Zubin Potok – komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.

Sipas raportimeve të disa mediave serbe, shpërthimet ndodhën në kohën kur anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor, nën përcjelljen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, hynë në hapësirat e objektit komunal në Zubin Potok.

Burime të REL-it thanë se në Mitrovicën e Veriut – po ashtu të banuar me shumicë serbe – u dëgjuan sirena alarmuese para orës 15:00.

Paraprakisht, sipas tyre, anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor, në prani të Policisë së Kosovës, tentuan të hyjnë në selinë e Komisionit Zgjedhor në këtë komunë.

Nuk është e qartë nëse arritën të hynë. Në vendin e ngjarjes u mblodhën disa qytetarë, ndërsa automjetet e policisë nuk shihen më.

Radio Evropa e Lirë kërkoi konfirmim nga Policia e Kosovës në lidhje me këto raportime, por, deri më tash, nuk mori përgjigje.

Katër komunat në veri – Zubin Potoku, Mitrovica e Veriut, Zveçani dhe Leposaviqi – janë pa kryetarë qysh në fillim të nëntorit, kur ata kanë dhënë dorëheqje në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur më pas 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve në veri.

Serbia akuzon Kurtin

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se qëllim i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është që “me dhunë dhe me armë t’i rrëmbejë katër komunat në veri” dhe “në to të instalojë përfaqësues shqiptarë, përmes zgjedhjeve jolegale dhe jolegjitime”.

Përmes një komunikate për media, Petkovia tha se Kurti “ka dërguar pjesëtarë të Policisë së Kosovës me armë të gjata në Komunën e Zubin Potokut”.

“Të gjithën e ka kurdisur dhe ia ka bërë regjinë Albin Kurti, derisa në Tiranë po mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor”, tha Petkoviq.

Show More

Related Articles

Back to top button