BotaLajme

Brukseli diskuton rreth pranimit të Kroacisë, Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Schengen

Ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, janë mbledhur të enjten në Bruksel për të vendosur nëse do të pranojnë Bullgarinë, Rumaninë dhe Kroacinë në zonën Schengen.

Kroacia besohet se ka më shumë mundësi për t’u pranuar.

Komisioni Evropian u ka bërë thirrje vendeve të bllokut evropian që të mundësojnë hyrjen e këtyre shteteve në zonën e lëvizjes së lirë, mirëpo jo të gjitha shtetet e mbështesin propozimin.

Kancelari austriak, Karl Nehammer, ka thënë të martën se Qeveria e tij është e gatshme të pranojë Kroacinë, mirëpo është kundër pranimit të Rumanisë dhe Bullgarisë për shkak të shqetësimeve për migrimin.

Parlamenti i Holandës e ka miratuar një rezolutë në muajin tetor, duke thënë se nevojitet analizë më e thuktë për funksionimin e rendit dhe ligjit, por edhe nivelin e luftimit të korrupsionit në Bullgari dhe Rumani.

Përpjekjet e Bullgarisë dhe Rumanisë për të hyrë në këtë zonë, janë bllokuar për më shumë se një dekadë, prej kur Komisioni ka vlerësuar se këto dy vende janë të gatshme për anëtarësim.

Vendet anëtare duhet të miratojnë në mënyrë unanime pranimin e një shteti të ri.

Zona Schengen – me 26 vende anëtare – nënkupton pezullim të kontrolleve kufitare mes vendeve anëtare dhe u mundëson qytetarëve të udhëtojnë, punojnë dhe jetojnë në një shtet tjetër anëtar, pa pasur nevojë për viza apo leje tjera shtesë.

Bullgaria, Rumania, Kroacia, Irlanda dhe Qiproja, janë vendet e vetme të BE-së që nuk janë pjesë e zonës Schengen.

Në anën tjetër, Islanda, Norvegjia, Zvicra dhe Lihtenshtajni, nuk janë vende të BE-së, por janë anëtare të zonës Schengen./rel

Show More

Related Articles

Back to top button