LajmeRajon

​Kërcënon Petkoviq: Po e shqyrtojmë dërgimin e 1.000 ushtarëve në Kosovë

Drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq sonte para mesnatës ka dalë në një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarë, pas vendimit të Policisë së Kosovës që ta rrisë praninë në veri.

Ai ka thënë se veriu po “pushtohet” nga policia e Kosovës dhe se Serbia po e shqyrton mundësinë, siç ka thënë ai, kthimit të 1.000 pjesëtarëve të saj të sigurisë në Kosovë.

Petkoviq ka deklaruar se dërgimi i këtyre pjesëtarëve, është i mundshëm sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Vuçiq ka përsëritur shumë herë se ne nuk do të lejojmë një pogrom të ri të popullit tonë. Shpresoj që ata që duhet të reflektojnë me Kurtin ta kuptojnë këtë mesazh, sepse ne nuk do të lejojmë që populli ynë të vuajë. Le ta dinë ata në perëndim, kështu që nuk do të jenë të befasuar me vendimet tona, sepse nuk jemi ne që provokojmë dhe shkelim marrëveshjet, të gjitha këto i bën Kurti dhe dikush e lejon”, ka thënë Petkoviq.

Ai ka deklaruar se sonte rreth 300-350 forca policore janë futur në veri.

“Sipas njohurive tona, 300-350 policë të Kosovës me armë të gjatë dhe automjete të blinduara “pushtuan” veriun e Kosovës dhe bllokuan Mitrovicën e Kosovës. Arsyeja e inkursionit të policisë në veri të Kosovës është gjoja se shqiptarët që jetojnë aty kanë frikë nga çdo gjë që po ndodh. Po ashtu ju kujtoj se dy ditë më parë ka pasur një përballje mes Kurtit dhe qytetarëve të veriut për të detyruar mbajtjen e zgjedhjeve”, ka deklaruar ai.

Ai ka theksuar se policia e Kosovës, sipas Marrëveshjes së Brukselit dhe pikës 9 të saj, nuk ka të drejtë të jetë e pranishme në veri të Kosovës.

“Këtë e dinë të gjithë dhe të gjithë shtiren si të çmendur dhe e lejojnë Kurtin të bëjë veprime dhe të shkelë marrëveshjen e Brukselit. Këta janë policë me veshje të plota lufte, që ndalojnë njerëzit dhe i ngacmojnë”, ka theksuar Petkoviq.

Ai ka thënë se pas këtij vendimi të Kosovës, do të ketë ndryshime të mëdha në dialog, për të cilat njoftimin do ta jep presidenti Aleksandar Vuçiq, transmeton N1./Kosovapress

Show More

Related Articles

Back to top button