Në mediat kosovare sot u raportua se presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka vendosur për shtyrjen e zgjedhjeve në veri.
Kjo pas tensioneve të krijuara në këtë pjesë të vendit, të cilat kulmuan me plagosjen e mbrëmshme të policit Ekrem Neziri.
Sipas raportimeve, Osmani do ta kumtojë këtë lajm sot apo në fillim të javës së ardhshme.
E në lidhje me këtë çështje, për lajmi.net kanë folur nga Presidenca.
Zëdhënësi, Bekim Kupina tha se presidentja Osmani e ka shpjeguar procedurën që duhet të ndiqet në raste të tilla.
Ai shtoi se janë në pritje të raportit nga KQZ.
“Presidentja Osmani dje e ka shpjeguar procedurën që ndiqet në raste të tilla. Ne jemi në pritje të raportit nga KQZ-ja”, tha shkurt Kupina për lajmi.net.
Kujtojmë se si rrjedhojë e incidenteve të njëpasnjëshme të ditëve të fundit në veri, policia mori vendim që ta rrisë prezencën e saj në atë pjesë.
Mbrëmë, patrulla të shtuara të policisë qëndruan në pjesën e Mitrovicës Veriore.
SHBA dhe Gjermania kanë kërkuar ndërkaq që zgjedhjet në veri të shtyhen.