Platforma e organizatave civile për luftë kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut me rastin e Ditës Botë Kundër Korrupsionit, ka dërguar kritika të ashpra për politikën e vendit, e cila siç thonë ata, nuk i ka realizuar premtimet dhe për këtë po e paguajnë çmimin qytetarët, njofton Portalb.mk.
“Premtimet politike, pa përkushtim serioz, nënkuptojnë vetëm demagogji e cila nuk shkon në dobi të përmirësimit të jetës dhe standardit të qytetarëve. Koha e humbur nuk mund të kompensohet dhe qytetarët e humbin besimin në shtet, pasi që gjithnjë e më shpesh sjellin vendime që ta ndërtojnë ardhmërinë e tyre dhe tatimet t’i paguajnë në ndonjë shtet tjetër”, thonë nga Platforma.
Ata shtojnë se në vitin që po shkon, funksionarët e lartë të pushtetit shumë herë kanë përsëritur se janë të përkushtuar për luftë kundër korrupsionit, por nga ana tjetër problemet përsëriten në shumicën e fushave që janë të prekshme nga korrupsioni.
“Që të çrrënjoset korrupsioni, veçanërisht korrupsioni i lartë, nëpërmjet të cilës rrjedhin miliona jashtë në llogari private, nevojitet që të ekzistojë siguri dhe parashikueshmëri se drejtësia do t’i arrijë të korruptuarit. Veçmas ata të cilët e kanë keqpërdorur pushtetit dhe i kanë varfëruar qytetarët, i kanë lënë pa shëndetësi dhe arsimim. Ngjarjet e fundit në gjyqësor, zgjedhja e prokurorit publik për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe kryetarit të Këshillit Gjyqësor, trazirat në Këshillin Gjyqësor dhe atë të Prokurorëve Publik e kanë ulur besueshmërinë në përmirësimin e cilësisë së drejtësisë”, thonë nga Platforma, duke shtuar se njëkohësisht institucionet janë të pavendosura, nuk reagojnë ose nuk veprojnë për menaxhim me korrupsionin.
Ata shtojnë se qytetarët tanimë një kohë të gjatë presin reforma në emërimin e funksionarëve dhe punësimin e administratorëve sipas parimit të meritës.
“Megjithatë, në vend që kjo politikë të jetë prioritet për institucionet të cilave u duhen kuadrot më të mirë, reforma është bllokuar për shkak të interesave partiak dhe marrëveshjet koalicionuese. Çmimin e korrupsionit afatgjatë më së shumti e paguajnë qytetarët që për shkak të saj mbeten pa shërbime cilësore shëndetësore, arsimim, siguri energjetike, mjedis të shëndetshëm jetësor dhe besueshmëri në shtetin e tyre”, thonë organizatat civile.
Platforma për luftë kundër korrupsionit numëron 18 anëtarë, pjesë e të cilës është dhe Fondacioni Metamorfozis, i cili nëpërmjet projekteve nxit transparencën, llogaridhënien, qeverisjen e mirë dhe edukimin mediatik të qytetarëve.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut vazhdon të përballet me kritika serioze për korrupsion, siç është ajo e ambasadores së SHBA-së Angela Ageler e cila madje, paralajmëroi ardhjen e një ekipit amerikan për vështrim më agresiv ndaj funksionarëve të korruptuar.
Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit sot në takim me gazetarët deklaroi se e përshëndesin ardhjen e ekipit amerikan për vështrim më agresiv ndaj funksionarëve të korruptuar, por, njëkohësisht kjo është dështim për politikën e vendit pasi nuk i kemi kryer detyrat e nevojshme.
Në raportin e organizatës “Freedom House” për Vendet në Tranzicion, publikuar në prill të këtij viti, Maqedonia e Veriut u radhit në grupin e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion. Nuk ka përmirësime.
Organizata Transparency International në janar të këtij viti, nxori raportin e vitit për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në botë në të cilin theksohej se Maqedonia e Veriut ka një indeks 39, së bashku me Kosovën, dhe është në gjysmën e fundit të tabelës së 180 vendeve në botë.
Analiza e Youth Alliance në të cilën kanë marrë pjesë mbi 440 të rinj nga RMV tregon se pikërisht për shkak të shkallës së korrupsionit, katër nga dhjetë të rinj do ta braktisnin shtetin, ndërsa çdo person i tretë i ri konsideron se pikërisht korrupsioni është motivimi kryesor që të inkuadrohet dhe të kontribuojë në luftën kundër veprimeve korruptive. Vetëm katër për qind e të rinjve mendojnë se gjendja e këtillë i detyron të bëhen pjesë e zinxhirit të korrupsionit.