Administrata e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, e ka akuzuar Rusinë se po e mbështet Iranin me ndihma ushtarake – përfshirë këtu furnizimin me sisteme të mbrojtjes ajrore, helikopterë dhe avionë luftarakë.
Kjo thuhet të jetë pjesë e një bashkëpunimi gjithnjë e më të ngushtë mes dy vendeve, pasi që Teherani e mbështet pushtimin e Ukrainës nga Rusia përmes furnizimit të ushtrisë ruse me dronë.
Zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby, tha të premten se, sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane, Rusia po i ofronte Iranit “mbështetje të paprecedentë ushtarake dhe teknike që po e transferon marrëdhënien e tyre në një partneritet të plotë të mbrojtjes”.
Kirby tha se Rusia dhe Irani po e shqyrtonin mundësinë e ndërtimit të një linje montimi të dronëve në Rusi, ndërsa Rusia po ushtron pilotë iranianë për avionin luftarak Sukhoi Su-35, me të cilin mund të furnizohet Irani brenda vitit.
“Këta avionë luftarakë do ta përforcojnë dukshëm forcën ajrore të Iranit në krahasim me fqinjët e tyre regjional”, tha Kirby.
Kirby shtoi se ky transferim i armëve shkel rezolutat e Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara dhe se SHBA-ja do të “përdorë mjetet që ka në dispozicion për t’i ekspozuar dhe ndalur këto aktivitete.”
Shqetësimet lidhur me përforcimin e partneritetit mes Rusisë dhe Iranit vijnë pasi administrata e Bidenit e ka akuzuar vazhdimisht Iranin se po i ndihmon Rusisë në luftën kundër Ukrainës.
SHBA-ja thotë se Irani i kishte shitur qindra dronë luftarak Rusisë gjatë verës. Të premten, Kirby i ritheksoi qëndrimet e administratës amerikane se Irani po e shqyrton mundësinë t’ia shesë Rusisë qindra raketa balistike, por shtoi se SHBA-ja nuk ka “pamje të qartë prapa mendimeve të Iranit” se pse marrëveshja nuk është arritur dhe zbatuar ende.
Ambasadorja e Britanisë së Madhe në OKB, Barbara Woodward, të premten e akuzoi Rusinë se po tenton të sigurojë më shumë armatim nga Irani, përfshirë këtu qindra raketa balistike, në këmbim të një “mbështetjeje të nivelit të paprecedentë ushtarak dhe teknik”.
“Ne shqetësohemi se Rusia planifikon ta furnizojë Iranin me komponentë më të avancuar ushtarak, që do t’ia mundësojë Iranit të përforcojë aftësitë ushtarake”, tha ajo. “Kështu që është e domosdoshme të ekspozohet e vërteta lidhur me furnizimet e Iranit për Rusinë dhe të hetohet sa më shpejt që të jetë e mundur nga OKB-ja”.
Në një takim të Këshillit të Sigurisë të OKB-së, të thirrur nga Rusia për vlerësimin e ndikimit të mbështetjes ushtarake që shtetet perëndimore i kanë ofruar Ukrainës, ambasadori rus, Vassily Nebenzia, sërish e mohoi pretendimin se Irani po e furnizon me armë.
“Kompleksi industrial ushtarak në Rusi mund të funksionojë në mënyrë të përsosur dhe nuk ka nevojë për ndihmën e askujt, ndërsa industria ushtarake e Ukrainës në thelb as nuk ekziston dhe po ndihmohet nga industria perëndimore dhe kompanitë perëndimore”, tha ai.
Shtëpia e Bardhe thotë se Rusia është drejtuar edhe te Koreja e Veriut për artileri, tani që janë bërë nëntë muaj që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Koreja e Veriut e ka mohuar këtë.