LajmeMaqedoni

Bytyqi: Vizioni ynë është përmirësim i vazhdueshëm i funksionalitetit të komunave

Periudha e ardhshme është jashtëzakonisht e rëndësishme për zbatimin e përgatitjeve më të gjera për integrimin e komunave tona në hapësirën administrative të Bashkimit Evropian. E kuptojmë plotësisht qëndrimin e komunave për pranimin e kompetencave të reja, por me kusht që të realizohet një shkallë e lartë e autonomisë në zbatimin e tyre, konsideron zëvendëskryeministrit përgjegjës për Çështjet Ekonomike, Fatmir Bytyqi.

Siç ka theksuar ai, vetëm për një vit kanë realizuar 80 për qind të projekteve të nisura, ndërsa pjesa tjetër do të realizohet në periudhën e planifikuar deri në fund të vitit 2023.

“Vizioni ynë është përmirësimi i vazhdueshëm i funksionalitetit të komunave nga të gjitha aspektet me synim afatgjatë për krijimin e njësive të fuqishme të vetëqeverisjes lokale”, tha Bytyqi në fjalimin e sotëm në Shkup në konferencën vjetore për decentralizim dhe qeverisje lokale.

Ai beson se vetëm qasja sistematike sjell zgjidhje të qëndrueshme dhe e tillë, siç tha ai, është qasja që ata kanë në përmirësimin e sistemit të vetëqeverisjes lokale.

“Jemi të përkushtuar në këtë proces si një nga proceset e rëndësishme reformuese që nevojiten për zhvillim të përshpejtuar por edhe zhvillim të balancuar dhe të drejtë që do t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve. Janë duke u zhvilluar disa procese të mëdha që është e rëndësishme të ndodhin paralelisht. Këtë vit, në korrik, filluam negociatat me BE-në. Presim që negociatat të kontribuojnë në harmonizimin e sistemit të vetëqeverisjes lokale me kriteret dhe standardet e Bashkimit Evropian”, shtoi Bytyqi.

Ai informoi se në vitin 2023 sistemi i vetëqeverisjes lokale duhet të vlerësohet plotësisht dhe siç tha ai, në kontekst të integrimeve evropiane, rezultatet e zbatimit të procesit të decentralizimit do të vazhdojnë të vlerësohen si kriter politik për anëtarësim.

“Ndërkohë, krizat nëpër të cilat po kalojmë evidentojnë qartë nevojën e bashkëpunimit në të gjitha nivelet, si dhe gatishmërinë për zbatimin e masave efikase dhe përkushtimin për realizimin e tranzicionit energjetik”, thekspoi Bytyqi.

Ai përmendi se fokusi i decentralizimit në afat të shkurtër duhet të jetë në fuqizimin e komunave, përmes përmirësimit të kornizës financiare dhe rritjes së kompetencave të tyre, duke mundësuar një shkallë të lartë të autonomisë, por jo në dëm të qytetarëve, por në dobi të tyre, duke mundësuar përmbushjen e të drejtave të tyre elementare dhe duke mos krijuar vështirësi në jetën e tyre të përditshme.

Bytyqi gjithashtu rikujtoi se në gusht është miratuar Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e njësive të vetëqeverisjes lokale, i cili parashikon një rritje graduale të përqindjes së të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale, nga 3 në 6 për qind në periudhën nga viti 2022 deri në 2025.

Show More

Related Articles

Back to top button