Policia belge i ka vënë në rrjetë zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian. Ish-shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Federica Mogherini, ka dhënë dorëheqje nga një OJQ të shtunën. Ajo për shumë vjet ishte ndërmjetëse në dialogun Kosovë – Serbi dhe është emri që bie më së shumti në sy në raportimet për skandalin që e ka tronditur Europën.
Ish-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini ka lënë pak punë të kryera në Bruksel me angazhimin e saj si ndërmjetëse në dialogun Kosovë – Serbi.
Emri i Mogherinit u kthye të përmendet këto ditë, pasi ajo dha dorëheqje nga bordi “Fight Impunity”, një organizate joqeveritare me njerëz të njohur në përbërje. Dorëheqja erdhi pasi disa zyrtarë europianë, përfshirë sisa eurodeputetë dhe vetë nënpresidenten e Parlamentit Europian, Eva Kaili, u akuzuan se kanë pranuar shuma të mëdha parash nga një vend i Gjirit që raportohet se është nikoqir i Kupës së Botës, Katari.
Doha i ka mohuar akuzat, por skandali mori dhenë. Përveç Mogherinit, dorëheqje nga bordi “Fight Impunity” dha edhe ish-kryeministri francez, Bernard Cazeneuve, ish-komisioneri europian për Migracionin, Dimitris Avramopoulos, ish-eurodeputetja Cecilia Wikstrom dhe eurodeputetja isabel Santos. Ata u larguan pasi akuzat u drejtuan edhe kah themeluesi i këtij bordi, ish-eurodeputeti italian, Pier Antonio Panzeri.
Federica Mogherini, që tani është rektore e Kolegjit të Europës, do të shihet nëse preket direkt nga ky skandal, por ‘shefi’ i saj në bordin “Fight Impunity”, Panzeri u arrestua të premtën nën akuzat për ryshfet dhe ndikim nga Katari.
Panzeri, ish-kryetar i nënkomisionit për të drejtat e njeriut të PE, siç raportojnë mediat ndërkombëtare, njihte disa njerëz të fuqishëm – dhe me sa duket i përdori ata për interes të tij. Ai e njihte Mogherinin, për shembull, përmes anëtarësimit të tij në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Europian. Më pas Panzeri, i cili u largua nga Parlamenti në vitin 2019, e caktoi atë për t’u bashkuar me bordin e Fight Impunity, sipas një ndihmësi në Kolegjin e Europës, ku Mogherini aktualisht është rektore.
Njerëzit përreth Mogherinit mohojnë se ajo ka ndonjë përfshirje në skandal, ndërsa konfirmuan se ajo u largua nga kjo OJQ të shtunën.
Një seri prej të paktën 16 bastisjesh nga policia federale belge të premten hodhi në rrjet pesë persona. Raportohet edhe për të tjerë të arrestuan, ndërkaq që ata të deritashmit akuzohen për “anëtarësim në një organizatë kriminale, pastrim parash dhe korrupsion”.
Në këtë rast “dyshohet se pagesa e shumave të mëdha parash apo oferta e dhuratave të rëndësishme palëve të treta me pozicion politik dhe/ose strategjik brenda Parlamentit Europian, ka ndikuar në vendimet e këtij institucioni”.
Skandali nxiti shumë reagime. Për këtë sot foli edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
“Akuzat janë jashtëzakonisht shqetësuese, shumë serioze”, tha ajo, duke theksuar se propozon gjithashtu krijimin e një organi të pavarur të etikës për t’i mbikëqyrur institucionet e BE.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka shprehur gjithashtu shqetësimin e tij për zhvillimet në lidhje me skandalin që ka prekur Parlamentin Europian dhe kjo pritet të zë vend edhe në diskutimin në Këshillin e Ministrave të Jashtëm. Express